

KOSOVË- Presidentja në detyrë e Kosovës, Albulena Haxhiu, ka shprehur keqardhje për mungesën e partive opozitare shqiptare në takimin konsultativ të organizuar të martën për çështjen e zgjedhjes së kryetarit të ri të shtetit.
Gjatë një konferencë për shtyp pas takimit, Haxhiu bëri të ditur se kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka konfirmuar qëndrimin se vendi ka nevojë për një president konsensual për të shmangur krizën politike.
Ajo paralajmëroi se mosarritja e një marrëveshjeje politike do ta dërgojë pashmangshmërisht vendin në zgjedhje të parakohshme.
“E kemi parë disa herë. E dimë ku na çon mungesa e dialogut apo refuzimi i takimeve. Kam dëgjuar qëndrimet e partive të pranishme. Të gjitha ishin se duhet të kontribuojmë maksimalisht për çështjen e marrëveshjes për presidentin dhe patjetër të shmangen zgjedhjet e parakohshme.
S’pres që partitë të pajtohen për gjithçka. Pres të jenë të gatshme të flasin për atë që është e domosdoshme për funksionimin e shtetit. Nëse nuk mund të merremi vesh sot, nuk kemi asnjë garanci se një palë zgjedhje të reja do të na bëjnë që të merremi vesh nesër”, tha Haxhiu.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






