Transmetuar më 18-08-2026, 11:04

Detaje të reja janë bërë publike lidhur me arrestimin e Sokrat Vatës, 29-vjeçarit të dyshuar për vrasjen e 20-vjeçarit portugez në Ksamil.

Sipas informacioneve të raportuara, Vata u arrestua në Levan të Fierit, teksa ishte fshehur në bagazhin e një automjeti. Në momentin e ndalimit, në automjet ndodheshin edhe persona të tjerë, mes tyre një shtetas turk, ndërsa drejtuesja e mjetit ishte një shtetase e huaj.

Sipas të njëjtave të dhëna, Vata, përveç punës si roje plazhi në “Principotes”, dyshohet se kryente edhe detyrën e badigardit të hotelit. Rrethanat e udhëtimit dhe prania e shtetasve të huaj në automjet janë pjesë e hetimit të autoriteteve.

29-vjeçari ishte shpallur në kërkim pas vrasjes së turistit, i cili u godit me thikë në Ksamil pas një konflikti.

Policia dhe grupi hetimor vijojnë punën për zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes, si dhe për të përcaktuar rrethanat e largimit të të dyshuarit nga vendi i krimit.

Levan, Fier/Kapet dhe vihet në pranga, pas 5 orësh nga vrasja, autori i dyshuar i vrasjes së 20-vjeçarit, në Ksamil

Kapja e tij u bë si rezultat i koordinimit dhe bashkëpunimit të shërbimeve të Policisë të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Fier.

Autori i dyshuar u kap nga shërbimet operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me shërbimet e forcës “Shqiponja” të DVP Fier, në pikën e përbashkët të kontrollit të ngritur për kapjen e tij, në aksin rrugor “Levan-Fier”.

Autori i dyshuar, shtetasi S. V., 29 vjeç, ishte fshehur në bagazhin e një automjeti që drejtohej nga një 31-vjeçare, shtetase turke, ndërsa në automjet udhëtonte si pasagjer edhe një 38-vjeçar, shtetas turk.

Autori i dyshuar dhe dy shtetasit turq u shoqëruan në DVP Vlorë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Ndërkohë, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Përditësim:

Në lidhje me ngjarjen e ndodhur mëngjesin e sotëm në Ksamil, ku humbi jetën një shtetas i huaj, policia e Vlorës njoftoi para pak se të dhënat e mëparshme i kishte të pasakta duke theksuar se viktima ishte shtetas portugez dhe jo francez.

"Bazuar në të dhënat paraprake të disponueshme në momentet e para të ngjarjes, viktima u identifikua fillimisht si shtetas francez, me inicialet M. M. Në vijim të veprimeve hetimore dhe pas gjetjes së dokumentit të identifikimit, u konfirmua se ishte shtetas portugez, me inicialet L. V., i datëlindjes 27.09.2005".

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit