

Budapest – Hungaria ka ndërmarrë masa emergjente në Danub për të përballuar rënien e nivelit të ujit dhe për të shmangur një ndërprerje të mundshme të operacioneve në centralin bërthamor Paks.
Autoritetet kanë nisur të devijojnë ujë drejt rrjedhës kryesore të Danubit, ndërsa po përdorin edhe një zgjidhje të pazakontë: fundosjen e kontrolluar të barkave për të krijuar një prag të përkohshëm në shtratin e lumit dhe për të rritur nivelin e ujit pranë centralit.
Që nga mesdita e së hënës, rreth 20 metra kub ujë në sekondë janë lëshuar në Danub nga dega Ráckeve-Soroksár në Dömsöd. Masa ka sjellë një rritje prej rreth dy centimetrash të nivelit të lumit.
Ndërkohë, pranë Paksit, rreth 100 kilometra në jug të Budapestit, dy barka po përgatiten për fundosje të kontrolluar. Uji po pompohet në trupat e tyre, me synimin që ato të vendosen në shtratin e lumit dhe të formojnë një pengesë të përkohshme.
Masa synon të shmangë një tjetër ndërprerje të mundshme të një prej turbinave operative të centralit, ndërsa niveli i Danubit vijon të jetë në rënie.
Paralelisht, autoritetet kanë nisur ndërtimin e një pragu të përhershëm në lumë, mes centralit Paks dhe fshatit Dunaszentbenedek. Projekti emergjent, i miratuar nga qeveria hungareze javën e kaluar, parashikon fillimisht përdorimin e rreth 35 mijë metrave kub shkëmb, sasi që më vonë pritet të arrijë në 110 mijë metra kub.
Sipas autoriteteve, e marta dhe e mërkura pritet të jenë ditët më kritike, pasi niveli i Danubit mund të bjerë edhe 14–15 centimetra.
Megjithatë, situata mund të përmirësohet nga e enjtja, kur reshjet e parashikuara në pjesën austriake të pellgut ujëmbledhës të Danubit pritet të sjellin prurje të reja në lumë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






