Transmetuar më 18-08-2026, 10:19

Ksamil – Vrasja e 20-vjeçarit francez Miguel Mendes ka tronditur pushuesit në Ksamil, ku ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit pranë ambienteve të “Principotes”.

Sipas të dhënave paraprake, Mendes kishte qenë klient në lokal së bashku me disa persona të tjerë dhe dyshohet se është përfshirë në një konflikt me 29-vjeçarin Sokrat Vata, nga Hasi, i cili punonte si truprojë.

Burime bëjnë me dije se konflikti ka përfshirë disa persona dhe se 20-vjeçari është nxjerrë nga ambientet e lokalit drejt portës. Më pas, dyshohet se Vata e ka goditur me thikë.

Pas ngjarjes, autori i dyshuar është larguar nga vendi, ndërsa policia vijon kërkimet për lokalizimin dhe kapjen e tij. Hetimet po vijojnë për të zbardhur dinamikën e plotë të konfliktit dhe rrethanat që çuan në vrasje.

Pushuesit: Ngjarje që na tronditi

Pas krimit, disa pushues të pranishëm në zonë kanë shprehur tronditjen për ngjarjen, veçanërisht për faktin se ndodhi në një zonë turistike dhe në prani të familjeve me fëmijë.

“Është një ngjarje e rëndë, jemi me pushime me fëmijët. Si t’u themi që është vrarë dikush? Ata do të tremben”, u shpreh një prej pushuesve.

Një tjetër pushues tha se ngjarja ishte e rëndë dhe se i vinte keq për atë që kishte ndodhur.

Ndërsa një pushuese deklaroi se ishte tronditur nga lajmi, duke theksuar se zona, sipas saj, përgjithësisht është e rregullt dhe e sigurt për turistët.

I dyshuari, me të kaluar kriminale në Britani

Sokrat Vata, i dyshuari për vrasjen, nuk është një emër i panjohur për autoritetet britanike. Sipas të dhënave të bëra publike, ai ka pasur probleme me drejtësinë në Angli dhe është dënuar më herët për vepra penale që lidhen me drogën.

Ndërkohë, policia shqiptare vijon kontrollet për kapjen e 29-vjeçarit, ndërsa grupi hetimor po punon për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe përcaktimin e përgjegjësive.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit