

Tiranë – Shtatë vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në territorin e Shqipërisë, ndërsa dy të tjera janë nën monitorim. Ministria e Mbrojtjes bën me dije se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar gjithsej 24 vatra zjarri në vend.
Për përballimin e situatës janë angazhuar 472 forca operacionale dhe 28 automjete zjarrfikëse. Në operacione janë përfshirë edhe Forcat e Armatosura, me 129 efektivë, 3 automjete zjarrfikëse, 3 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”.
Aktualisht në terren ndodhen 140 efektivë të Forcave të Armatosura, një automjet zjarrfikës, tre helikopterë dhe dy avionë “Air Tractor”.
Mali i Dajtit
Në Malin e Dajtit, në Tiranë, situata vijon të jetë nën kontroll, megjithëse zjarri mbetet aktiv në të dyja anët e kreshtës. Operacioni për izolimin e plotë të vatrës vijon me forcat operacionale, të mbështetura nga 50 efektivë të FA-së dhe një helikopter të Forcës Ajrore.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Në Vakumone, situata është nën kontroll dhe vatra është izoluar, ndërsa Priska vijon të jetë nën monitorim.
Gurë-Lurë, Dibër
Një nga operacionet më të mëdha po zhvillohet në Gurë-Lurë të Dibrës, ku janë angazhuar 180 forca bashkiake, 14 efektivë të Policisë dhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura.
Operacioni mbështetet nga dy avionë “Air Tractor”. Krijimi i korridoreve ka ndihmuar në frenimin e avancimit të zjarrit drejt banesave. Aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Në Qafë Helmës, në zonën Dibër-Bulqizë, zjarri është shuar nga krahu i Bulqizës, ndërsa mbetet aktiv në drejtim të Selishtës. Edhe në këtë zonë nuk raportohet rrezik për banesat.
Situata në Mat, Mirditë dhe Pukë
Në Bruç të Matit, operacioni vijon në një terren shkëmbor dhe të vështirë. Ndërhyrja është përforcuar me 30 efektivë të Forcave të Armatosura. Sipas autoriteteve, nuk ka rrezik për banesat.
Në Lufaj të Mirditës, vatra mbetet aktive, por me intensitet të ulët dhe me avancim të lehtë. Në terren janë angazhuar strukturat e MZSH-së, Policia, Shërbimi Pyjor, forcat bashkiake dhe banorë të zonës. Operacioni mbështetet gjithashtu nga një helikopter, dy automjete zjarrfikëse të FA-së dhe nëntë efektivë ushtarakë.
Në Fushë-Lajë të Pukës, operacioni vijon në terren të vështirë, ndërsa era ka favorizuar përhapjen e flakëve drejt pyjeve të Tërbunit dhe Gjegjanit.
Në këtë zonë janë angazhuar tre automjete zjarrfikëse, nëntë efektivë të MZSH-së, 10 punonjës të Shërbimit Pyjor, 40 forca vendore, 15 vullnetarë, 30 efektivë të Forcave të Armatosura dhe dy helikopterë. Nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në të gjithë territorin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e Mbrojtjes Civile.
Autoritetet deklarojnë se kapacitetet tokësore dhe ajrore mbeten në gatishmëri, me prioritet izolimin e vatrave aktive dhe mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






