Transmetuar më 18-08-2026, 09:04

Djali 20 vjeçar nga Franca, Miguel Mendes, u gjet sot herët në mëngjes i vdekur në një shezlon pranë lokalit “Principotes” në Ksamil.

Sipas të dhënave paraprake, i riu dyshohet se është qëlluar me mjet prerës, thikë, gjatë një konflikti për motive të dobëta.

Policia e Vlorës tha se ka identifikuar autorin e dyshuar të vrasjes dhe ai është Sokrat Vata, 29 vjeç nga Hasi.

Sipas policisë, pasi ka kryer vrasjen autori është larguar në drejtim të paditur. Ai po kërkohet për tu vënë në pranga.

Por përse ndodhi ngjarja?

Noa.al zbardh të dhënat e para. Po hetohet dyshimi se djali francez kishte ngacmuar më herët një vajzë që mendohet se ishte e dashura e të riut shqiptar. I irrituar nga kjo situatë, dyshohet se Sokrat Vata ka reaguar keq dhe është konfrontuar me francezin.

Duket se gjërat kanë shkuar keq, aq sa në rrethana ende të paqarta, turisti nga Franca u qëllua me thikë në shezlon dhe u gjet i vdekur aty më pas.

Çfarë tha policia:

Rreth orës 05:15, në shezlongët e plazhit, para një lokali në Ksamil, është gjetur pa shenja jete shtetasi francez M. M., rreth 20 vjeç, i cili dyshohet se është goditur me mjet prerës (thikë).

Nga veprimet paraprake dyshohet se, gjatë një konflikti për motive të dobëta, 20-vjeçari është goditur me mjet prerës nga shtetasi S. V., 29 vjeç, banues në Has, i cili është larguar menjëherë pas ngjarjes.

Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet për lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.

Ndërkohë, Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.

Kush është Sokrat Vata

I riu nuk rezulton me dosje penale në Shqipëri. Megjithatë ai ka emigruar në Angli dhe atje ka pasur përballje me drejtësinë.

Rrjeti shtetëror BBC në një artikull të 1 tetorit 2024 publikoi pamje nga arrestimi i Sokrat Vatës, pasi u përball me ndjekje policore

Artikulli i plotë i BBC

Burri dënohet me burg pasi makina u përmbys gjatë dy ndjekjeve nga policia

1 tetor 2024

Një burrë, i cili përmbysi makinën që drejtonte pasi nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar, është dënuar me pesë vjet burg.

Sokrat Vata, pa adresë fikse, u deklarua fajtor për dy akuza për drejtim të rrezikshëm të automjetit, pas ndjekjeve nga policia në Cambridge dhe Kent.

Ai u ndoq nga oficerët dhe përmbysi një automjet me targa të klonuara ndërsa ndodhej në rrugën A20, në East Malling, më 13 prill.

27-vjeçari nuk u kap në atë moment, por nga automjeti u gjetën disa qese me kokainë dhe targa automjetesh.

Më 30 prill, ai u ndoq sërish nga oficerët pasi ishte raportuar se një Toyota RAV4 ngjyrë gri, e vjedhur, po drejtohej në Cambridge.

Makina u pikas në Catherine Street dhe, ndërsa oficerët iu afruan për të folur me Vatën, ai hipi mbi bordurë dhe u largua me shpejtësi.

Vata ndaloi pak më vonë për të lënë një pasagjer të zbriste, përpara se të vazhdonte drejt Clara Rackham Street, ku më pas doli me vrap nga makina dhe hodhi një pako me kokainë në një shkurre, tha policia.

Ai u gjet i fshehur në oborrin e pasmë të një banese me 560 paund para të gatshme në xhepa.

Oficerët gjetën gjithashtu targa në makinën e tij dhe ai rezultoi pozitiv në testin për drejtim automjeti nën efektin e drogës.

Në Gjykatën e Kurorës në Cambridge, më 25 shtator, Vata u dënua me pesë vjet burg.

Ai ishte deklaruar më herët fajtor për dy akuza për posedim me qëllim shpërndarjeje të drogave të Klasës A, dy akuza për drejtim të rrezikshëm të automjetit, posedim kanabisi dhe drejtim automjeti nën efektin e drogës.

Detektivja Louise Trippett tha: “Vata ishte i vendosur të bënte gjithçka që mundej për t’iu shmangur policisë.

“Tani ai ka marrë një dënim të gjatë me burg, të cilin mund ta përdorë për të reflektuar mbi veprimet e tij.”

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit