Transmetuar më 18-08-2026, 08:15

Detaje të reja dalin në dritë lidhur me vrasjen e 20-vjeçarit francez, Migel Mendes, në Ksamil. I riu u gjet pa shenja jete rreth orës 05:15, në shezlongët e një plazhi pranë një lokali.

Sipas të dhënave paraprake të Policisë, 20-vjeçari dyshohet se është goditur me thikë pas një konflikti. Në fokus të hetimeve është 29-vjeçari Sokrat Vata, banues në Has, i cili dyshohet si autor i ngjarjes.

Pas konfliktit, Vata dyshohet se është larguar nga vendi i ngjarjes. Shërbimet e Policisë kanë vijuar kontrollet për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Kush është Sokrat Vata?

Sipas të dhënave të bëra publike, 29-vjeçari ka pasur probleme me drejtësinë në Britaninë e Madhe, ku është arrestuar dhe dënuar në vitin 2024 për vepra penale të lidhura me trafikun e drogës dhe drejtimin e automjeteve.

Në një prej rasteve, më 30 prill, policia në Kembrixh e identifikoi Vatan duke drejtuar një automjet Toyota të raportuar të vjedhur. Sipas të dhënave të çështjes, ai tentoi të largohej fillimisht me automjet dhe më pas në këmbë.

Gjatë ndjekjes, Vata dyshohet se hodhi një pako me kokainë në shkurre, ndërsa gjatë kontrollit iu gjetën edhe 560 paund. Ai rezultoi gjithashtu pozitiv në testin për drejtim automjeti nën efektin e drogës.

Në një tjetër episod, të regjistruar në Kent më 13 prill, Vata nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar dhe përplasi një automjet me targa të klonuara. Në automjet u gjetën qese me kokainë dhe targa.

U dënua me pesë vite burg

Pas arrestimit, Sokrat Vata u përball me drejtësinë britanike dhe përfundoi para Gjykatës së Kurorës së Kembrixhit.

Sipas të dhënave të çështjes, ai pranoi akuzat për posedim të drogës së klasit A me qëllim furnizimin, drejtim të rrezikshëm të automjetit, posedim kanabisi dhe drejtim nën efektin e drogës.

Për këto vepra, ai u dënua me pesë vite burgim.

Ndërkohë, në Shqipëri, Vata është shpallur në kërkim si i dyshuari kryesor për vrasjen e 20-vjeçarit francez në Ksamil. Hetimet vijojnë për të zbardhur dinamikën e plotë të konfliktit dhe rrethanat që çuan në ngjarjen e rëndë.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit