

Rritja e blerjeve online në Shqipëri pas pandemisë ka sjellë zgjerim të ndjeshëm të tregtisë përmes rrjeteve sociale, por sektori vijon të përballet me një nivel të lartë informaliteti.
Sipas të dhënave të publikuara në Planin Operacional për sektorin e tregtisë dhe shërbimeve online nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, në vend janë të regjistruara 2,016 biznese që ushtrojnë aktivitet në tregtinë dhe shërbimet online.
Rreth 68% e tyre ndodhen në Tiranë, ndërsa 76% funksionojnë si persona fizikë dhe 23% si entitete.
Blerjet online janë rritur pas pandemisë
Pandemia e COVID-19 duket se ka përshpejtuar ndjeshëm përhapjen e blerjeve online, duke e kthyer këtë mënyrë konsumi në një praktikë të përditshme për një pjesë të konsiderueshme të konsumatorëve.
Sipas të dhënave të cituara në raport, gjatë vitit 2024 rreth 43% e individëve të moshës 16–74 vjeç kanë kryer blerje online, ndërsa krahasuar me periudhën para pandemisë, blerjet në internet janë rritur me rreth 33%.
Veshjet, këpucët dhe aksesorët janë ndër kategoritë kryesore të shitjeve online, të ndjekura nga ushqimet me porosi. Një pjesë e konsiderueshme e këtyre shitjeve realizohet përmes faqeve në rrjetet sociale.
Tatimet paralajmërojnë kontrolle
Pavarësisht zgjerimit të sektorit, administrata tatimore vlerëson se tregtia online mbetet e ekspozuar ndaj informalitetit. Për këtë arsye, Tatimet kanë paralajmëruar kontrolle ndaj subjekteve që ushtrojnë aktivitet online, në kuadër të masave për formalizimin e sektorëve me risk.
Plani Operacional identifikon katër forma kryesore të shitjeve online: përmes rrjeteve sociale, reklamave në portale, qendrave telefonike që kontaktojnë konsumatorët dhe operatorëve postarë.
Pesë rreziqet kryesore të identifikuara
Administrata tatimore ka evidentuar disa problematika që lidhen me aktivitetin online, ndër të cilat:
Shitësit në Instagram dhe Facebook pa NIPT – një pjesë e aktiviteteve mund të ushtrohen pa regjistrim dhe pa deklarimin e të ardhurave. Nëndeklarimi i qarkullimit – veçanërisht në rastet kur pagesat kryhen në dorëzim, duke e bërë më të vështirë gjurmimin e plotë të shitjeve. Punësimi i maskuar në platformat online – një tjetër rrezik i evidentuar në sektor, që lidhet me mënyrën e klasifikimit dhe deklarimit të marrëdhënieve të punës. Pagat e padeklaruara ose të nëndeklaruara – përfshirë rastet kur një pjesë e pagës paguhet jashtë listëpagesës. Shmangia e TVSH-së përmes fshehjes së qarkullimit – administrata tatimore e konsideron këtë një tjetër risk të rëndësishëm të aktivitetit online.
Rritja e shitjeve përmes Instagramit, Facebook-ut dhe platformave të tjera ka krijuar një treg të ri për bizneset shqiptare, por njëkohësisht ka shtuar sfidat për administratën tatimore në identifikimin dhe formalizimin e aktiviteteve që ushtrohen online.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






