

Një ngjarje tragjike ka tronditur një shkollë të mesme në jug të Filipineve, ku dy nxënës kanë humbur jetën pas një sulmi me armë zjarri.
Ngjarja ndodhi në një institucion arsimor të lidhur me Universitetin Ateneo de Zamboanga, në qytetin Zamboanga. Sipas autoriteteve, autori i dyshuar ishte një nxënës i klasës së nëntë, i cili hyri në ambientet e shkollës i armatosur dhe qëlloi brenda një klase.
Si pasojë e të shtënave, humbi jetën një nxënës, rreth një vit më i madh se autori i dyshuar. Pas sulmit, nxënësi dyshohet se i dha fund jetës.
Presidenti i Universitetit Ateneo de Zamboanga, Ernald Andal, deklaroi se situata është vënë nën kontroll dhe se nuk ka persona të tjerë të lënduar.
“Prioriteti ynë është siguria e të gjithë nxënësve”, deklaroi Andal.
Pas ngjarjes, në zonën përreth shkollës u angazhuan forca të shumta policie, ushtarë dhe ekspertë të kriminalistikës. Mediat lokale raportuan se nxënës dhe prindër u mblodhën jashtë ambienteve të institucionit pas të shtënave.
Rasti i dytë brenda pak javësh
Kjo është ngjarja e dytë e rëndë e këtij lloji në Filipine brenda më pak se dy muajsh. Në qershor, të paktën tre nxënës humbën jetën dhe rreth 20 të tjerë u plagosën pas një sulmi me armë në një shkollë publike në Tacloban City.
Të shtënat në institucionet arsimore konsiderohen ngjarje relativisht të rralla në Filipine, një vend që ka rregulla të rrepta për posedimin e armëve. Megjithatë, autoritetet vijojnë të përballen me problemin e qarkullimit të armëve ilegale.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






