

HIMARË – Katër persona kanë mbetur të plagosur mbrëmjen e 17 gushtit në Porto Palermo, pasi një skaf ka marrë flakë gjatë kohës që po kryheshin punime në motor.
Ngjarja ka ndodhur në det të hapur, pranë zonës së Porto Palermos. Pas shpërthimit, në vendngjarje janë afruar persona me një mjet tjetër lundrues për t’u ardhur në ndihmë të dëmtuarve.
Të plagosurit janë identifikuar si Mateo Merdanaj, Aleks Doda, Xhemal Ismailaj dhe Ardinant Qaziu. Ata kanë pësuar djegie në pjesë të ndryshme të trupit, pasi benzina në zonën e motorit dhe të serbatorit dyshohet se ka marrë flakë.
Sipas të dhënave paraprake, shpërthimi ka ndodhur në momentin kur po punohej për riparimin e motorit. Një prej pistave që po verifikohet është edhe mundësia që një cigare e ndezur të ketë shkaktuar ndezjen e avujve të benzinës.
Katër të plagosurit janë transportuar fillimisht në spitalin e Himarës, ndërsa për shkak të dëmtimeve janë dërguar më pas në Vlorë. Pas marrjes së ndihmës së parë, ata janë nisur drejt Tiranës për trajtim më të specializuar.
Njëri prej të dëmtuarve raportohet se ka djegie në rreth 50% të trupit, ndërsa një tjetër ka pësuar dëmtime më të rënda.
Ndërkohë, grupi hetimor po vijon verifikimet për të përcaktuar rrethanat dhe shkakun e saktë të shpërthimit.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






