Transmetuar më 17-08-2026, 21:29

Tre persona kanë humbur jetën pas rrëzimit të një helikopteri privat në ishullin grek të Sifnos, në zonën Tholos, pranë heliportit.

Aksidenti ndodhi pasditen e së hënës, ndërsa helikopteri po afrohej për ulje. Pas përplasjes, në vendngjarje shpërtheu një zjarr dhe ekipet e emergjencës u vunë menjëherë në lëvizje. Autoritetet greke konfirmuan se në bord ndodheshin tre persona dhe të tre humbën jetën.

Sipas raportimeve të fundit nga mediat greke, helikopteri ishte i tipit Bell 206 dhe ishte nisur nga Markopoulo, në rajonin e Atikës, me destinacion Sifnos. Rrëzimi ndodhi në një distancë të shkurtër nga heliporti, gjatë fazës së afrimit.

Zjarri pas përplasjes

Qendra Operacionale e Shërbimit Zjarrfikës grek u njoftua për aksidentin në orën 18:17. Në vendngjarje u dërguan fillimisht dy zjarrfikës me një automjet, ndërsa nga ishulli Siros u nis edhe një ekip shpëtimi me mjet të shpejtë lundrues.

Tre viktimat u gjetën të pajeta në vendin e aksidentit, pasi ekipet zjarrfikëse vunë nën kontroll flakët. Sipas raportimeve të mëvonshme, bëhet fjalë për pilotin dhe dy pasagjerë britanikë, një çift i sapomartuar.

Helikopteri u rrëzua në një zonë pranë banesave, çka shkaktoi alarm te banorët e zonës. Megjithatë, sipas raportimeve nga vendngjarja, banesat nuk u goditën nga helikopteri.

Shkaqet ende të paqarta

Shkaqet e aksidentit nuk janë përcaktuar ende. Autoritetet greke kanë nisur hetimet për të zbardhur dinamikën e plotë të rrëzimit dhe për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për një defekt teknik apo për një faktor tjetër.

Dëshmitarë në ishull kanë raportuar se kishin dëgjuar një zhurmë të fortë pak çaste përpara rrëzimit. Një video e publikuar nga ERTnews tregon helikopterin duke marrë një trajektore zbritëse drejt zonës së heliportit, përpara se në vendngjarje të shfaqej shpërthimi dhe një re e dendur tymi.

Hetimi pritet të përqendrohet te gjendja teknike e helikopterit, kushtet në momentin e fluturimit dhe manovrat e kryera gjatë afrimit për ulje.

Ngjarja ka shkaktuar tronditje në Sifnos, një nga ishujt e njohur turistikë të Greqisë, ndërsa autoritetet vijojnë procedurat hetimore në vendin e aksidentit.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit