

Zjarri në malin e Tërbunit në Pukë ka dalë jashtë kontrollit, ndërsa era e fortë po favorizon përhapjen e flakëve dhe po vështirëson ndjeshëm ndërhyrjen e forcave në terren.
Sipas shefit të Shërbimit Zjarrfikës në Pukë, Agron Hadroj, deri tani janë përfshirë nga flakët rreth 50 hektarë sipërfaqe, ndërsa situata është përkeqësuar gjatë ditës për shkak të kushteve atmosferike.
“Deri dje pasdite, situata ishte nën kontroll, por sot pati një erë shumë të fuqishme që na nxori jashtë kontrollit”, deklaroi Hadroj.
Ndërhyrja nga ajri e pamundur
Përpjekjet për izolimin e vatrave po zhvillohen në drejtim të Tërbunit dhe Gjegjanit, por terreni i thyer dhe era e fortë po e bëjnë ndërhyrjen veçanërisht të vështirë.
Sipas autoriteteve zjarrfikëse, ndërhyrja nga ajri aktualisht nuk është e mundur për shkak të kushteve të erës dhe terrenit malor.
“Ndërhyrja nga ajri këtu është e pamundur për shkak të terrenit të thyer”, tha Hadroj.
Situata ka marrë përmasa më të mëdha gjatë orëve të pasdites, kur forca e erës është shtuar dhe ka favorizuar përhapjen e zjarrit në zona të reja.
Në terren zjarrfikës, vullnetarë dhe Forcat e Armatosura
Në operacionin për frenimin e flakëve janë angazhuar efektivë të Shërbimit Zjarrfikës të Pukës, punonjës të Shërbimit Pyjor, vullnetarë dhe pjesëtarë të Forcave të Armatosura.
Forcat në terren po përpiqen të kufizojnë përhapjen e zjarrit dhe të mbrojnë zonat e rrezikuara, pavarësisht vështirësive të krijuara nga terreni dhe kushtet atmosferike.
Deri tani, përpjekjet për shuarjen e plotë të vatrave nuk kanë dhënë rezultat, ndërsa situata mbetet dinamike.
Autoritetet vijojnë monitorimin e zjarrit dhe ndërhyrjen në zonat ku terreni lejon afrimin e mjeteve dhe forcave të emergjencës.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






