

Krimi i rëndë që tronditi Fierin në muajin korrik ishte paraprirë nga një seri kërcënimesh, përndjekjesh dhe shkeljesh të urdhrit të mbrojtjes ndaj 23-vjeçares Rozalinda Plaka.
Sipas dosjes së Prokurorisë, të siguruar nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, ish-i fejuari i saj, Refit Buzi, kishte vijuar ta kontaktonte dhe ta ndiqte edhe pasi kishte vuajtur një dënim për përndjekje dhe pavarësisht ekzistencës së një urdhri mbrojtjeje.
Ngjarja kulmoi në korrik, kur Buzi shkoi në banesën e ish-partneres, vrau me armë zjarri prindërit e saj dhe e mori 23-vjeçaren peng për disa orë. Pas negociatave me policinë, ai e liroi të renë dhe më pas vrau veten në automjetin e tij.
Përndjekja kishte nisur pas daljes nga burgu
Sipas materialeve hetimore, Buzi dhe Plaka ishin ndarë pas një lidhjeje disa vjeçare, por 35-vjeçari kishte insistuar vazhdimisht për rikthimin e marrëdhënies.
E reja e kishte denoncuar më herët për përndjekje, ndërsa Buzi kishte vuajtur disa muaj burg. Megjithatë, sipas dosjes, përndjekja rifilloi menjëherë pas daljes së tij nga burgu, më 19 mars.
Edhe pse ndaj tij ishte vendosur urdhër mbrojtjeje, ai dyshohet se e kontaktonte vazhdimisht përmes numrave të ndryshëm.
Në kallëzimin e saj të 22 prillit, 23-vjeçarja ka përshkruar situata të përsëritura frikësimi. Ajo ka deklaruar se ish-partneri i priste rrugën pranë Urgjencës së Spitalit Rajonal të Fierit, ku ajo kryente praktikën si infermiere, si dhe në ambiente të tjera që frekuentonte.
“Zbrit nga makina ose do digjem me benzinë”
Një nga episodet e përshkruara në dosje lidhet me një udhëtim drejt një hoteli në Novoselë.
Sipas dëshmisë së Rozalindës, Buzi e kishte marrë në automjetin e tij tip “Volkswagen”. Kur ajo refuzoi të zbriste nga makina, ai e kërcënoi se do të dëmtonte veten.
“Zbrit nga makina dhe hyjmë që të vërtetoj që unë nuk të prek me dorë pa dëshirën tënde. Ose zbrit ose unë do djeg veten me benzinë para teje…”
Sipas dëshmisë, ai i kishte thënë gjithashtu se veprimet e mëparshme i kishte kryer për shkak të gjendjes së tij mendore.
Por situata, sipas materialeve të hetimit, nuk u ndal me kërcënimet për vetëdëmtim.
“Do t’ju shuaj të gjithëve si fis”
Pas largimit nga hoteli, ku dyshohet se kishin shkuar për të ngrënë drekë, Buzi i kishte vendosur të resë disa kushte lidhur me marrëdhënien e tyre.
Sipas dëshmisë së saj, ai i kishte bërë të qartë se nuk e pranonte ndarjen dhe se, nëse ajo do të zgjidhte t’i jepte fund marrëdhënies, do të përballej me pasoja të rënda.
Në një tjetër deklarim të përfshirë në dosje, Rozalinda ka thënë se ai e kishte kërcënuar me fjalët:
“Do t’ju shuaj si familje, do të vras prindërit!”
Nëna e vajzës kishte kërkuar ndërhyrjen e autoriteteve, duke paralajmëruar se sjellja e ish-të fejuarit po ndikonte rëndë në jetën, shëndetin dhe arsimimin e së bijës.
Edhe pas urdhrit të mbrojtjes, kontaktet vijuan
Gjatë hetimeve pas denoncimit, policia e Fierit e arrestoi sërish Buzin. Sipas dosjes, atij iu sekuestruan pajisje telefonike, ndërsa nga komunikimet mes palëve u gjetën mesazhe, telefonata dhe mesazhe zanore me përmbajtje kërcënuese dhe fyese.
I pyetur nga grupi hetimor, Buzi kishte pranuar se e kishte kontaktuar ish-partneren, pavarësisht se ishte në dijeni të urdhrit të mbrojtjes.
“E kam kontaktuar sepse e dua dhe ndjej akoma për atë, dua të lidhem përsëri… Nuk kam mundur dot ta lë të qetë”, mësohet të jetë shprehur ai.
Një zinxhir paralajmërimesh që përfundoi në tragjedi
Materialet e dosjes, sipas dëshmisë së 23-vjeçares dhe provave të mbledhura nga hetuesit, tregojnë një përshkallëzim të vazhdueshëm: nga përndjekja dhe kontaktet e padëshiruara, te kërcënimet dhe shkelja e urdhrit të mbrojtjes, deri te ngjarja tragjike e korrikut.
Rasti rikthen në vëmendje rrezikun që paraqet përshkallëzimi i dhunës ndaj ish-partnerëve dhe rëndësinë e reagimit të menjëhershëm institucional ndaj rasteve të përndjekjes dhe kërcënimeve.
Burimi: Top Channel
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






