Transmetuar më 17-08-2026, 16:18

Ministri i Brendshëm Besfort Lamallari prezantoi drejtorin e ri të komanduar të Drejtorisë së Përgjithshme të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin.

Ervis Gjoshi është komanduar në drejtimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin, pas dorëheqjes së Arben Carës nga kjo detyrë.

Gjoshi u prezantua sot nga ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari. Sipas ministrit, drejtuesi i ri ka 18 vite përvojë në Policinë e Shtetit dhe ka mbajtur disa detyra drejtuese në strukturat e sigurisë.

Gjoshi ka shërbyer si zëvendësdrejtor për Rendin dhe Sigurinë në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, ndërsa më herët ka qenë shef komisariati në Dibër.

Lamallari tha se përvoja e tij do të vihet në shërbim të forcimit të strukturës së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, duke veçuar si prioritete rishikimin e kuadrit ligjor dhe hartimin e një programi kombëtar për parandalimin e zjarreve.

“Me një karrierë prej 18 vitesh në Policinë e Shtetit, me përvojë të gjatë në drejtimin e strukturave të sigurisë, si zëvendësdrejtor për Rendin dhe Sigurinë në DVP Tiranë dhe më herët si shef Komisariati në Dibër, ai sjell në këtë detyrë eksperiencën dhe përgjegjshmërinë e nevojshme për një strukturë kaq të rëndësishme”, deklaroi Lamallari.

Ministri theksoi se qytetarët duhet të kenë një shërbim profesional, të organizuar dhe të gatshëm për të reaguar ndaj emergjencave.

“Parandalimi është qëllimi madhor i qeverisë shqiptare dhe ajo çfarë presin më shumë qytetarët shqiptarë”, u shpreh Lamallari.

Ervis Gjoshi merr drejtimin e MZSH-së pas largimit të Arben Carës nga posti.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit