

Projektligji i propozuar parashikon që Republika e Kosovës të jetë titullare e vetme e pronës publike, ndërsa komunat do të kenë të drejta përdorimi, menaxhimi dhe administrimi. Komunat e kundërshtojnë ndryshimin.
Një projektligj i ri për ndryshimin e Ligjit për Pronën Publike në Kosovë ka hapur debat mbi mënyrën se si do të administrohen pronat që aktualisht janë në pronësi të komunave.
Sipas një drafti fillestar të siguruar nga Radio Evropa e Lirë, Republika e Kosovës do të bëhej titullare e vetme e së drejtës së pronësisë mbi pronën publike. Institucionet qendrore, komunat, kryeqyteti dhe ndërmarrjet publike do të ushtronin të drejta të shfrytëzimit, menaxhimit dhe administrimit.
Ndryshimi do të prekte një gamë të gjerë pronash që aktualisht administrohen nga komunat, përfshirë ndërtesat komunale, shkollat, qendrat shëndetësore, palestrat, tokat dhe sipërfaqe të tjera publike.
Komunat kundërshtojnë ndryshimin
Asociacioni i Komunave të Kosovës e ka kundërshtuar propozimin, duke e konsideruar atë si një hap drejt centralizimit të pronës publike.
Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, thotë se kalimi i pronësisë te Republika e Kosovës do të kufizonte kompetencat e komunave dhe mundësinë e tyre për të përdorur pronën si instrument për zhvillim ekonomik.
“Kjo do t’i zhvishte komunat nga çdo kompetencë dhe e drejtë e tyre”, deklaroi Totaj për Radio Evropa e Lirë.
Sipas tij, komunat do të kishin më pak mundësi për të vendosur vetë për dhënien me qira, këmbimin apo përdorimin e tokave për projekte dhe investime lokale.
“Me këtë ligj do të prekej zhvillimi ekonomik”, u shpreh Totaj, duke argumentuar se toka komunale përdoret për krijimin e zonave ekonomike, tërheqjen e investimeve dhe hapjen e vendeve të punës.
Kundër ndryshimit është shprehur edhe Asociacioni i Komunave. Kryetari i tij, Sazan Ibrahimi, tha se të gjithë kryetarët e komunave e kanë kundërshtuar heqjen e pronësisë komunale mbi pronat publike.
“Kjo qasje cenon autonominë lokale”, tha Ibrahimi, duke argumentuar se propozimi mund të bjerë ndesh me parimet e vetëqeverisjes lokale dhe të ndikojë në zhvillimin ekonomik të komunave.
Çfarë parashikon ligji aktual?
Ligji në fuqi lejon që institucionet qendrore dhe komunat të jenë bartëse të së drejtës së pronësisë mbi pronën publike.
Ndërkohë, projektligji i ri propozon që pronësia t’i atribuohet vetëm Republikës së Kosovës, ndërsa komunat të ruajnë të drejtën për shfrytëzim, menaxhim dhe administrim.
Ligji për Vetëqeverisjen Lokale u njeh komunave të drejtën të posedojnë dhe menaxhojnë pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, si dhe të shesin apo japin me qira pronën.
Analisti i politikave në Institutin për Studime të Avancuara GAP, Bekim Salihu, thotë se ndryshimi i propozuar mund të krijojë konflikt me kompetencat që komunave u garantohen nga legjislacioni dhe Kushtetuta.
“Çfarëdo tendence për marrjen e kësaj të drejte cenon parimet ligjore dhe frymën e Kushtetutës së Kosovës”, tha Salihu për REL-in.
Sipas tij, ndryshimi i mënyrës së administrimit të pronës publike duhet të shoqërohet me konsultim me komunat.
Ministria e Drejtësisë po harton projektligjin
Ministria e Drejtësisë ka konfirmuar se ka ngritur një grup punues për hartimin e projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Pronën Publike.
Megjithatë, ministria nuk ka bërë publik draftin dhe nuk ka shpjeguar arsyet që kanë çuar në propozimin për ndryshimin e konceptit të pronësisë.
Asociacioni i Komunave paralajmëron se ndryshimi mund të sjellë kufizime në përdorimin e pronës për zhvillimin ekonomik lokal, pasiguri për investitorët dhe vështirësi në administrimin apo këmbimin e pronave.
Projektligji është ende në fazën e hartimit dhe, përpara miratimit, pritet t’i nënshtrohet konsultimit ndërinstitucional dhe publik.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






