Transmetuar më 17-08-2026, 15:34

Katër persona janë arrestuar në rajonin e Zadarit, ndërsa autoritetet po hetojnë nëse një seri zjarresh përgjatë bregdetit kroat janë shkaktuar qëllimisht.

Katër persona janë arrestuar në Kroaci nën dyshimin se mund të kenë lidhje me ndezjen e zjarreve në rajonin e Zadarit. Sipas autoriteteve, arrestimet u kryen pas denoncimeve nga banorët, të cilët kishin raportuar sjellje të dyshimta.

Më shumë se 10 zjarre janë regjistruar që nga e enjtja e kaluar përgjatë bregdetit kroat. Sipas raportimeve, zjarret kanë shkaktuar një viktimë dhe kanë plagosur dhjetëra persona.

Autoritetet po hetojnë shkaqet e zjarreve, ndërsa një nga pistat është edhe ajo e zjarrvënies së qëllimshme.

Në zonën e Omišit, flakët kanë shkaktuar dëme në banesa dhe biznese, duke detyruar mijëra banorë dhe turistë të largohen nga zonat e prekura. Tetë persona të plagosur raportohet se ndodhen në gjendje të rëndë në spital.

Sipas raportimeve të mediave lokale, hetimet po përqendrohen edhe te zjarri që shkaktoi dëme të mëdha gjatë natës mes së enjtes dhe të premtes, veçanërisht në zonat e banuara të Omišit. Autoritetet po verifikojnë nëse ai është shkaktuar qëllimisht.

Legjislacioni penal kroat parashikon dënime me burgim për rastet e zjarrvënies, përfshirë ato kur nga veprimi rrezikohet jeta e njerëzve apo prona. Sipas rastit dhe rrethanave, dënimet mund të variojnë nga gjashtë muaj deri në pesë vjet burgim.

Hetimet për përcaktimin e shkaqeve dhe përgjegjësive vijojnë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit