Transmetuar më 17-08-2026, 14:41

Ministria e Mbrojtjes: 12 vatra janë regjistruar deri në orën 14:00, ndërsa 3 të tjera janë nën monitorim

Shtatë vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në territorin e Shqipërisë, ndërsa tre të tjera janë nën monitorim, sipas përditësimit të Ministrisë së Mbrojtjes për situatën deri në orën 14:00 të 17 gushtit.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 467 forca operacionale dhe 34 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura po mbështesin ndërhyrjen me 120 efektivë, dy automjete zjarrfikëse, dy helikopterë dhe dy avionë Air Tractor.

Një nga vatrat kryesore vijon të jetë në Malin e Dajtit, në Tiranë, ku po operojnë forcat në terren, të mbështetura nga 50 efektivë të Forcave të Armatosura dhe dy helikopterë. Sipas autoriteteve, nuk ka rrezik për zonat e banuara. Në Vakumone zjarri është izoluar, ndërsa zona e Priskës vijon të monitorohet.

Në Gurë-Lurë të Dibrës, operacioni po zhvillohet me 180 forca bashkiake, 15 efektivë të Policisë, 30 efektivë të Forcave të Armatosura dhe dy avionë Air Tractor. Hapja e korridoreve ka ndihmuar në frenimin e përhapjes së flakëve drejt zonave të banuara. Edhe këtu, autoritetet raportojnë se aktualisht nuk ka rrezik për banesat.

Në Qafë-Helmës, zjarri është shuar nga krahu i Bulqizës, ndërsa vijon vetëm në drejtim të Selishtës, pa paraqitur rrezik për zonat e banuara. Ndërkohë, në Bruç të Matit operacioni vijon në terren të vështirë, por pa rrezik për banesat.

Në Lufaj të Mirditës, strukturat vijojnë punën në terren. Dy automjete zjarrfikëse të Forcave të Armatosura, me nëntë efektivë, janë pozicionuar pranë banesave në lagjen Caraj për shkak të nevojës për gatishmëri. Sipas autoriteteve, vatra aktualisht nuk përbën rrezik për banesat.

Në Fushë-Lajë të Pukës, operacioni po zhvillohet me dy automjete zjarrfikëse, nëntë efektivë të MZSH-së, shtatë forca pyjore, 46 forca bashkiake, 16 vullnetarë dhe 40 efektivë të Forcave të Armatosura. Edhe në këtë zonë nuk raportohet rrezik për banesat.

Ministria e Mbrojtjes vlerëson se situata është në përmirësim në disa prej vatrave, ndërsa kapacitetet tokësore dhe ajrore vijojnë të jenë të përqendruara në zonat ku zjarret mbeten aktive.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile po monitoron situatën dhe koordinon angazhimin e strukturave të Mbrojtjes Civile për izolimin dhe shuarjen e plotë të vatrave.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit