Transmetuar më 17-08-2026, 14:01

Policia e Shtetit do të krijojë një njësi të posaçme për hetimin e krimeve mjedisore. Nisma u bë e ditur nga ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, gjatë një takimi me drejtuesit vendorë të Policisë së Shtetit në 12 qarqe.

Në takim, Lamallari kërkoi një qasje më proaktive ndaj rasteve të zjarreve, duke theksuar se hetimi nuk duhet të përfundojë me shuarjen e tyre.

“Për Policinë, zjarri nuk përfundon kur fiket. Aty fillon pyetja se pse ndodhi, kush e shkaktoi dhe nëse pas tij fshihet një vepër penale”, deklaroi Lamallari.

Ministri tha se zjarret e dyshimta duhet të hetohen në bashkëpunim me shërbimin zjarrfikës, Emergjencat Civile dhe Prokurorinë, ndërsa kërkoi përdorimin e teknologjisë dhe ekspertizës forenzike për identifikimin e autorëve dhe sigurimin e provave.

Lamallari vlerësoi se dëmet e shkaktuara nga zjarret gjatë këtij viti janë të konsiderueshme, veçanërisht për fondin pyjor.

“Sa vite, sa gjenerata i duhet atij fondit pyjor të rikuperohet?”, u shpreh ministri, duke nënvizuar nevojën për forcimin e hetimeve për shkaqet e zjarreve.

Në takim mori pjesë edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, i cili kërkoi nga drejtuesit vendorë më shumë angazhim në tre fusha: sigurinë publike, sigurinë rrugore dhe sigurinë detare.

“Reagoni në kohë, si në parandalim, ashtu edhe në ndjekjen dinamike dhe profesionale të konflikteve dhe shqetësimeve të qytetarëve”, tha Hita.

Ai kërkoi gjithashtu që performanca e Policisë të matet jo vetëm përmes rezultateve në terren, por edhe përmes mënyrës së komunikimit me qytetarët dhe median.

“Qytetarët duhet ta kenë Policinë pranë, të marrin përgjigje në kohë dhe të shohin profesionalizëm në çdo situatë”, deklaroi Hita.

Takimi u zhvillua në kuadër të koordinimit të punës së strukturave vendore të Policisë dhe përcaktimit të prioriteteve për sigurinë publike.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit