Transmetuar më 17-08-2026, 11:45

TIRANË — Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka lënë në fuqi masën e sigurisë "arrest me burg" për 31-vjeçarin Xhuljano Hoxha, i cili u ekstradua një ditë më parë nga Britania e Madhe.

Hoxha akuzohet si pjesë e grupit kriminal që organizoi kultivimin e 870 kilogramëve kanabis në fshatin Drenovicë të Beratit, në kuadër të një operacioni të gjerë të zhvilluar në nëntor të vitit 2022.

Gjatë seancës gjyqësore, e cila u drejtua nga gjyqtari Bib Ndreca, me pjesëmarrjen e prokurores Elida Kaçkini, i pandehur nuk ka bërë asnjë deklarim. Ndërkohë, avokati i caktuar kryesisht, Arben Peçi, kërkoi nga gjykata caktimin e një mase më të butë sigurie, kërkesë e cila u rrëzua nga trupi gjykues.

Prapaskena e mega-operacionit të vitit 2022 në Berat

Xhuljano Hoxha ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe u prangos në Angli në tetor të vitit të kaluar, ndërsa masa e sigurisë "arrest me burg" ishte caktuar në mungesë nga GJKKO në prill të 2025.

Operacioni i nëntorit 2022 në Drenovicë të Beratit solli ndalimin e 105 personave, ku 95 prej tyre ishin gra të punësuara për përpunimin e lëndës narkotike. Sera, në pronësi të Hamdi Dylit, ishte e ndarë në katër parcela nga dy dynym secila. Përveç 11 personave të vënë në pranga në atë kohë, nën hetim u vunë edhe 57 efektivë të Policisë së Beratit, përfshirë drejtues të lartë, ku 7 prej tyre u përjashtuan përgjithmonë nga radhët e bluve.

Pasi Prokuroria e Beratit shpalli moskompetencë, dosja i kaloi SPAK-ut për shkak të përfshirjes së dy grupeve kriminale të strukturuara. GJKKO ka dënuar më parë me gjithsej 111 vite e 8 muaj burg 17 persona të përfshirë në këtë skemë, përfshirë dy drejtuesit kryesorë të grupit, Sadetin Hasaj dhe Blerim Xheka, të cilët u dënuan me nga 8 vite e 8 muaj burgim secili.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit