

TIRANË — Aktivisti i njohur Gary Kokalari ka deklaruar se projekti i Zvërnecit dhe marrëveshjet financiare të lidhura me familjen e ish-presidentit amerikan mund të kthehen në një çështje të nxehtë politike në Shtetet e Bashkuara, nëse Partia Demokratike merr kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve pas zgjedhjeve të nëntorit.
Në një prononcim për Albania Newscast, Kokalari u ndal te zhvillimet politike në SHBA dhe ndikimin e mundshëm që ato mund të kenë në Ballkan, duke theksuar se ndryshimi i balancave në Kongres do t’i jepte demokratëve fuqinë e hetimeve parlamentare dhe thirrjeve nën betim (subpoena).
"Ne e shohim se çfarë po bën presidenti i Shteteve të Bashkuara. Mendoj se ka një korrupsion të madh që po ndodh atje tani," u shpreh Kokalari, duke paralajmëruar se hetimet mund të shtrihen deri te figura të njohura pranë administratës.
Sipas tij, nëse demokratët sigurojnë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, komisionet hetimore mund të ndërmarrin hapa të menjëhershëm:
"Po ju bëj një bast tani: nëse ata fitojnë, do të fillojnë të thërrasin njerëz. Mund të thërrasin madje Jared-in dhe Ivanka-n dhe t’i pyesin për projektin në Shqipëri, për marrëveshjet e kriptomonedhave… dhe do të përpiqen të zbulojnë pse ai ka shfrytëzuar postin e tij për t’i shërbyer familjes së tij."
Aktivisti theksoi se ky skenar përbën një zhvillim të rëndësishëm, të cilit aktorët vendas duhet t’i kushtojnë vëmendje, ndërsa mbetet për t’u parë se si do të reflektohen rezultatet e zgjedhjeve të ardhshme në Uashington.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






