

Palët kanë dhënë versione të ndryshme për mënyrën si nisi rrahja, ndërsa njëri prej të dyshuarve ka pranuar se gjatë konfliktit përdori lopatë dhe gurë. Për shkak të përfshirjes së një zyrtareje policore është njoftuar edhe IPK-ja
Një incizim me dron dyshohet se është bërë shkak për një përleshje mes pjesëtarëve të dy familjeve në fshatin Bistricë të Leposaviqit, ku në konflikt është përfshirë edhe një zyrtare e Policisë së Kosovës, e cila në atë moment ndodhej jashtë detyrës.
Ngjarja ka ndodhur të dielën, më 16 gusht, rreth orës 13:25, në ambientet e restorantit “Lumi”.
Sipas informacioneve të publikuara nga Sinjali, në përleshje janë përfshirë pesë persona.
Si të dyshuar janë evidentuar Arianit Aliu, rreth 24 vjeç, Sedat Aliu, rreth 48 vjeç, Shemsedin Brahimi, rreth 36 vjeç, Ilirijana Brahimi, rreth 30 vjeçe, si dhe një zyrtare policore me inicialet L.S., 52 vjeçe.
Dyshohet se konflikti nisi pas një mosmarrëveshjeje lidhur me një incizim të realizuar me dron. Situata më pas ka eskaluar dhe ka kaluar në përleshje fizike mes personave të pranishëm.
Megjithatë, para hetuesve janë dhënë versione të ndryshme për mënyrën se si ka nisur dhe është zhvilluar konflikti.
Zyrtarja policore, e cila ishte jashtë detyrës në momentin e incidentit, ka mohuar se ka sulmuar ndonjë person. Sipas deklarimit të saj, vajza dhe dhëndri i saj ishin sulmuar nga djali i pronarit të restorantit.
Nga ana tjetër, djali i pronarit të lokalit, i intervistuar në cilësinë e të dyshuarit, ka pranuar se gjatë përleshjes ka përdorur një lopatë dhe gurë. Ai ka deklaruar se nuk e di nëse me këto sende ka goditur ndonjë prej personave të përfshirë.
I njëjti ka pretenduar se edhe zyrtarja policore e kishte sulmuar me lopatë, pretendim që është mohuar prej saj.
Për shkak të përfshirjes së një pjesëtareje të Policisë së Kosovës në incident, për rastin është njoftuar edhe Inspektorati Policor i Kosovës. Deklarata e zyrtares është marrë në praninë e përfaqësuesve të IPK-së.
Sipas të dhënave fillestare, lëndime kanë pësuar persona nga tri palë të përfshira në incident.
Hetuesit kanë intervistuar gjithashtu dy persona që ndodheshin në restorant në cilësinë e mysafirëve dhe që janë trajtuar si dëshmitarë. Megjithatë, dëshmitë e mbledhura deri tani nuk kanë bërë të mundur përcaktimin e plotë dhe të paanshëm të dinamikës së përleshjes.
Në këtë fazë të hetimit janë identifikuar dy persona nga njëra familje dhe tre nga familja tjetër si të përfshirë në konflikt.
Hetimet pritet të vazhdojnë për sigurimin e provave të tjera dhe identifikimin e dëshmitarëve që mund të ndihmojnë në sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, është urdhëruar që të gjithë personat e përfshirë të intervistohen në cilësinë e të dyshuarve, ndërsa rasti është iniciuar për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.
Pas përfundimit të procedurave të intervistimit, të gjithë personat e përfshirë janë liruar dhe rasti do të vazhdojë në procedurë të rregullt.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






