Transmetuar më 17-08-2026, 11:02

KRUJË — Policia e Shtetit ka zyrtarizuar detajet e operacionit të koduar "Fundi i Arratisë", i cili çoi në arrestimin e 49-vjeçarit Ylli Zalla, një person i shpallur në kërkim dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Operacioni u finalizua në një zonë të pyllëzuar në rrethinat e Krujës, si rezultat i një bashkëpunimi mes Forcave Speciale RENEA, Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, strukturave operacionale të DVP Tiranë dhe Komisariatit të Policisë Krujë. Zalla, i cili kishte mundur t’i shpëtonte disa herë forcave rendore, u lokalizua dhe u vu në pranga ndërsa mbante me vete një armë zjarri kallashnikov dhe tre krehra me municion luftarak.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, 49-vjeçari ka qenë në shënjestër të disa kontrolleve dhe operacioneve gjatë muajve të fundit:

14 nëntor 2025: Në banesën e tij u zbulua një arsenal armësh dhe lëndësh plasëse.

20 shkurt: Gjatë kontrolleve në zonën përreth banesës, shërbimet e policisë gjetën armë shtesë, lëndë plasëse, municion luftarak, lëndë narkotike cannabis sativa, si dhe uniforma policie.

23 qershor: Në një tjetër kontroll në banesë, u sekuestruan një armë zjarri pistoletë e bërë gati për qitje me fishekë në fole, një aparat celular, municion dhe një detektor frekuencash.

Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore mbi akuzat e armëmbajtjes pa leje dhe veprimtarive të tjera të paligjshme.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit