

ZPYRIH / AARGAU — Një operacion i gjerë i Policisë Kantonale të Zyrihut, i zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet e Aargaut, ka çuar në shkatërrimin e një rrjeti të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe zbulimin e një plantacioni masiv kanabisi në Zvicër.
Operacioni, i finalizuar pas një hetimi të gjatë, nisi kur policia e Zyrihut kontrolloi në autostradë automjetin e një shtetasi gjermani 36-vjeçar, i cili mbante me vete 30 mijë euro cash dhe katër telefona celularë të ndezur, pasi ishte vëzhguar duke u larguar nga një objekt biznesi në Spreitenbach të kantonit Aargau.
Të njëjtën ditë, forcat speciale zhvilluan një bastisje në ambientet e këtij objekt biznesi, ku u arrestuan dy persona: një 26-vjeçar nga Kosova dhe një 29-vjeçar nga Shqipëria.
Sekuestrot dhe zbulimet e bujshme
Brenda objektit u zbulua një plantacion i brendshëm (indoor) kanabisi me një sipërfaqe prej rreth 4.000 metrash katrorë. Sipas vendimit të Gjykatës Federale Penale të Zvicrës, në vendngjarje u gjetën dhe u sekuestruan:
23.918 bimë marihuane në faza të ndryshme zhvillimi;
1.106 kilogramë marihuanë e gatshme për shitje;
Dy armë zjarri dhe municion;
Makina profesionale për numërimin e parave dhe 6.420 franga zvicerane cash;
Pajisje teknike të sofistikuara për kultivimin, tharjen dhe përpunimin e lëndës narkotike, përfshirë mbetje të përdorura për prodhimin e polenit të rrëshirës.
Sipas drejtësisë zvicerane, objekti shërbente si një qendër e mirëfilltë industriale e prodhimit dhe trafikut të drogës në kuadër të një bande kriminale. Ndërkohë, administratorët kryesorë të kompanisë që shërbente si mbulesë për aktivitetin e paligjshëm janë shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Përplasja juridike mes kantoneve
Çështja ka prodhuar gjithashtu një betejë juridike mbi kompetencat e hetimit. Prokuroria e Aargaut kishte kërkuar t’ia kalonte çështjen autoriteteve të Zyrihut, pasi ky i fundit kishte nisur hetimet e para. Megjithatë, Gjykata Federale Penale vendosi përfundimisht se jurisdiktimi i takon kantonit Aargau, pasi qendra e veprimeve kriminale dhe plantacioni i madh ndodheshin gjeografikisht në Spreitenbach.
Vendimi ka vënë në dukje edhe dështimin e mëparshëm të autoriteteve të Aargaut, të cilat në nëntor të vitit 2024 kishin marrë një informacion anonim mbi këtë aktivitet, por kishin vendosur të mos vepronin, duke e lënë çështjen pa hetuar deri në ndërhyrjen e bujshme të policisë së Zyrihut.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






