Transmetuar më 17-08-2026, 08:07

ITALI – Kupa e Italisë ka rezervuar një nga surprizat e para të mëdha të këtij edicioni. Lazio është eliminuar që në fazën e hershme të kompeticionit, pasi u mposht 0-2 në “Olimpico” nga Mantova, skuadër që militon në Serie B.

Skuadra e drejtuar nga Gattuso kontrolloi pjesën e parë, por nuk arriti të krijojë avantazh. Edhe pas pushimit, Lazio e pati të vështirë të gjente hapësira përballë një Mantove të organizuar mirë.

Në kërkim të ndryshimit të situatës, Frattesi u aktivizua në minutën e 70-të, por vetëm pesë minuta më vonë erdhi goditja e parë për vendasit.

Në minutën e 75-të, Bragantini përfitoi nga një hapësirë në mbrojtjen e Lazios dhe shërbeu për Ruoccon, i cili me një ndërhyrje rrëshqitëse dërgoi topin në rrjetë dhe i dha Mantovës avantazhin.

Lazio u hodh në sulm në minutat e fundit, ndërsa Gattuso aktivizoi edhe Ratkov e Noslin në përpjekje për të shmangur eliminimin. Por në vend të barazimit, erdhi edhe goli i dytë.

Në minutën e 96-të, Caiazzo përfitoi nga hapësirat e krijuara pas avancimit të të gjithë ekipit të Lazios dhe vulosi fitoren e Mantovës.

Me këtë rezultat, Mantova siguron kalimin në raundin tjetër, ndërsa Lazio bëhet skuadra e parë e Serie A që largohet nga Kupa e Italisë në këtë fazë.

Verona kalon me penallti

Në sfidën tjetër, Verona dhe Virtus Entella dhuruan një ndeshje dramatike, e cila u vendos nga ruleta e penalltive.

Entella kaloi e para në avantazh në minutën e 16-të, kur Guiu përfitoi nga një gabim i mbrojtjes së Veronës. Reagimi i vendasve ishte i shpejtë: Compagnon barazoi në minutën e 20-të, ndërsa Sarr përmbysi rezultatin duke çuar Veronën në 2-1.

Skuadra nga Liguria nuk u dorëzua dhe në minutën e 84-t riktheu baraspeshën me Franzonin, i cili realizoi nga pika e bardhë pas një prekjeje me dorë në zonë.

Në shtesë, Entella mendoi se kishte gjetur golin e fitores, por realizimi i Tirellit u anulua për pozicion jashtë loje.

Ndeshja shkoi në penallti, ku Verona u tregua më e saktë. Leali priti gjuajtjen e Coronës, ndërsa Tirelli goditi shtyllën. Kështu, Verona triumfoi 3-2 me penallti, pas barazimit 2-2 në kohën e rregullt.

Verona do të përballet me Cagliarin në raundin e ardhshëm, ndërsa në vazhdim të garës mbetet në lojë edhe mundësia e një përballjeje me Romën.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit