Transmetuar më 16-08-2026, 23:40

Cristiano Ronaldo dhe Georgina Rodríguez kanë vendosur të ndajnë me publikun momente nga një prej ditëve më të veçanta të jetës së tyre, duke i hapur “Vogue”-ut dyert e ceremonisë së tyre intime të martesës në Portugali.

Çifti u martua më 11 gusht në shtëpinë e tyre në Cascais, në një ceremoni private ku ishin të pranishëm pesë fëmijët e familjes dhe vetëm disa dëshmitarë. Data kishte gjithashtu një domethënie të veçantë, pasi përkonte me 10-vjetorin e takimit të tyre të parë në një dyqan Gucci në Madrid.

Për kopertinën digjitale verore të “Vogue”, Ronaldo dhe Georgina kanë rrëfyer detaje nga ceremonia dhe kanë publikuar fotografi ekskluzive të realizuara nga fotografi Juergen Teller.

Georgina tregoi se ceremonia ishte pikërisht ashtu siç e kishte imagjinuar: intime, e mbushur me dashuri dhe me familjen në qendër. Ajo pranoi se nuk mundi t’i mbante lotët në këtë ditë të veçantë.

Edhe vendi i ceremonisë ishte zgjedhur me kujdes. Çifti vendosi të martohej në sallonin e shtëpisë së tyre, aty ku kalojnë përditshmërinë me fëmijët, duke preferuar një moment familjar në vend të një dasme madhështore me qindra të ftuar.

Pas ceremonisë civile, familja u drejtua për në Fátima, ku morën edhe bekimin në një kishëz të vogël. Georgina tha se përjetoi një ndjenjë të veçantë paqeje dhe se në atë moment kishte pranë gjithçka që për të kishte më shumë rëndësi: bashkëshortin, fëmijët, shtëpinë, besimin dhe dashurinë.

Për ceremoninë, Georgina u shfaq me një veshje elegante të bardhë, ndërsa Ronaldo zgjodhi një kostum në ngjyrë bezhë. Fotot e “Vogue” tregojnë gjithashtu momente të çiftit me fëmijët dhe pamje nga jeta e tyre familjare.

Çifti nuk ka përjashtuar mundësinë e një celebrimi më të madh në të ardhmen, me familjarë dhe miq, por këtë herë zgjodhi ta mbajë martesën larg zhurmës mediatike.

Shiko materialin e plotë të “Vogue”

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit