

Një konflikt i pazakontë ligjor mes një nëne zëvendësuese dhe prindërve biologjikë të një foshnjeje ka përfunduar me një vendim të parë gjyqësor në Teksas, vetëm pak javë para lindjes së fëmijës.
McKenna West, infermiere nga Alaska, është në pritje të lindjes së një djali, të cilin pritet ta quajë Gabriel, më 2 shtator. Gjatë shtatzënisë, fetusi është diagnostikuar me sindromën hipoplastike të zemrës së majtë (HLHS), një defekt i rrallë dhe serioz i lindur i zemrës.
Pas marrjes së diagnozës, prindërit biologjikë të fëmijës, Nacine Gilkar dhe Omar Ahmed, nga Kalifornia, i kanë kërkuar West të ndërpresë shtatzëninë. Ajo ka refuzuar dhe është zhvendosur në Teksas, ku çështja ka marrë edhe një dimension ligjor.
Prokurori i Përgjithshëm i Teksasit, Ken Paxton, i është drejtuar gjykatës me kërkesën që, pas lindjes, foshnjës t’i sigurohet kujdesi mjekësor i nevojshëm për mbijetesën dhe stabilizimin e tij.
Gjykata e ka pranuar kërkesën, duke vendosur që fëmija duhet të marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor pas lindjes. Sipas vendimit, kujdesi nuk mund të refuzohet, pengohet apo vonohet, ndërsa foshnja nuk mund të largohet nga spitali ku do të trajtohet apo nga territori i Teksasit, deri në një vendim të mëtejshëm të gjykatës.
West ka deklaruar se diagnoza ishte e papritur dhe se deri në momentin e ekzaminimit të javës së 20-të, shtatzënia po zhvillohej normalisht. Ajo ka treguar se analizat gjenetike nuk kishin evidentuar probleme.
Sipas saj, kontrata e zëvendësimit përmbante një klauzolë që parashikonte mundësinë e ndërprerjes së shtatzënisë në rast të një anomalie të fetusit. Megjithatë, West ka vendosur të mos e ndërpresë shtatzëninë.
Çështja ka kaluar tashmë në një përballje ligjore mes palëve. Prindërit biologjikë kanë ngritur padi dhe kërkojnë që West të kryejë abortin në Kaliforni. Nga ana tjetër, ajo ka deklaruar se është e gatshme të udhëtojë drejt këtij shteti vetëm nëse prindërit biologjikë garantojnë se foshnja do të marrë trajtimin mjekësor të nevojshëm.
Gjykata e Qarkut të Dallasit pritet ta shqyrtojë çështjen më 25 gusht, ndërsa vendimi i fundit për kujdesin ndaj foshnjës pas lindjes përbën vetëm fazën e parë të përballjes ligjore mes palëve.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






