

Ministria e Mbrojtjes ka përditësuar situatën e zjarreve në vend, duke bërë me dije se gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 43 vatra zjarri. Prej tyre, 10 vijojnë të jenë aktive, ndërsa tre të tjera janë nën monitorim.
Në operacionet për përballimin e situatës janë angazhuar 499 forca operacionale dhe 43 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura kanë kontribuar me 120 efektivë, pesë helikopterë dhe dy avionë Air Tractor. Aktualisht, në terren vijojnë të operojnë 120 efektivë të FA-së, tre helikopterë dhe dy avionë Air Tractor.
Operacioni në Gurë-Lurë
Një nga ndërhyrjet më të mëdha po zhvillohet në Gurë-Lurë, Dibër, ku janë angazhuar 120 forca bashkiake, 20 punonjës policie, 11 efektivë të ADZM-së, 15 efektivë të MZSH-së dhe 50 efektivë të Forcave të Armatosura. Operacioni mbështetet nga dy avionë Air Tractor.
Hapja e korridoreve në terren ka ndihmuar në frenimin e përhapjes së flakëve drejt zonave të banuara. Sipas autoriteteve, aktualisht nuk ka rrezik për banesat.
Situata në Dajt dhe zonat përreth
Në Malin e Dajtit vijon operacioni për shuarjen e zjarrit, ku po punojnë 50 efektivë të FA-së, të mbështetur nga dy helikopterë të Forcës Ajrore. Edhe në këtë zonë nuk raportohet rrezik për banesat.
Ndërkohë, vatra përgjatë aksit Priskë–Gurrë e Madhe–Farkë–Lundër është vënë nën kontroll dhe po monitorohet.
Në Vakumonë, Shëngjergj, zjarri mbetet aktiv, ndërsa në terren janë angazhuar shërbimet e MZSH-së, vullnetarë dhe strukturat e Njësisë Administrative Shëngjergj. Edhe këtu nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Vatra aktive në disa qarqe
Në Qafë Helmes, Dibër, zjarri është shuar në krahun e Bulqizës, ndërsa vijon të jetë aktiv në drejtim të Selishtës. Në terren janë angazhuar forca të MZSH-së, bashkisë dhe FA-së, ndërsa nuk ka rrezik për banesat.
Në Abazë, Krujë, vatra mbetet aktive me intensitet të ulët dhe pa rrezik për zonat e banuara. Ndërsa vatra në Zidoll është nën monitorim.
Në Lufaj dhe Thari, Mirditë, po punohet për krijimin e korridoreve ndarëse. Në Thari është evidentuar një vatër e re dhe në zonë është nisur një helikopter në mbështetje të operacionit.
Në Fushë-Lajë ndërhyrja po vijon në terren të vështirë, ndërsa në Rrjoll, për shkak të aksesit të kufizuar, situata po monitorohet edhe përmes dronëve.
Në Dardhë, Librazhd, shërbimi pyjor dhe forcat bashkiake vijojnë ndërhyrjen për shuarjen e flakëve. Edhe në këtë zonë nuk raportohet rrezik për banesat.
Qendra Kombëtare e Monitorimit dhe Koordinimit, përmes QKOEC-së, vijon të ndjekë situatën dhe të koordinojë ndërhyrjet në të gjithë territorin.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






