

ITALI – Një ngjarje e rëndë është regjistruar në provincën e Cosenza-s, ku një 46-vjeçare ka humbur jetën pasi është gjetur me dëmtime të rënda trupore jashtë urgjencës së spitalit në Trebisacce.
Viktima, Ornella Forastefano, 46 vjeçe dhe nënë e dy fëmijëve, u gjet pranë urgjencës rreth orës 03:00 të së dielës, ndërsa mjekët ndërhynë për t’i dhënë ndihmën e nevojshme. Pavarësisht përpjekjeve për ta shpëtuar, gruaja nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të pësuara.
Dëmtimet e shumta në pjesë të ndryshme të trupit kanë ngritur dyshimet e hetuesve se 46-vjeçarja mund të ketë qenë viktimë e një dhune të rëndë fizike.
Në qendër të hetimit është vendosur partneri i saj, Elvis Metvelaj 42 vjeç me origjinë shqiptare, me të cilin viktima bashkëjetonte prej rreth një viti. Pas ngjarjes, ai ishte larguar nga zona dhe ishte shpallur në kërkim nga autoritetet italiane.

42-vjeçari u lokalizua më pas në portin e Barit, ku dyshohet se po përpiqej të largohej nga Italia me destinacion Shqipërinë. Ai u ndalua nga autoritetet dhe aktualisht po merret në pyetje nga hetuesit.

Sipas të dhënave paraprake, 42-vjeçari është i njohur për precedentë penalë të lidhur me veprat e narkotikëve. Megjithatë, deri në këtë fazë, autoritetet nuk kanë përcaktuar përfundimisht përgjegjësinë e tij për vdekjen e partneres.

Elvis Metvelaj
Hetuesit rindërtojnë orët e fundit të viktimës
Një prej pikave që po verifikohet nga hetuesit është mënyra se si 46-vjeçarja ka përfunduar para urgjencës së spitalit. Ende nuk është e qartë nëse ajo është dërguar atje nga partneri i saj apo nga persona të tjerë.
Sipas të dhënave të deritanishme, gruaja është lënë jashtë hyrjes së urgjencës, ku më pas është gjetur nga personeli mjekësor.
Hetimi po drejtohet nga Prokuroria e Castrovillarit, në bashkëpunim me strukturat e policisë, të cilat po analizojnë provat dhe dëshmitë për të rindërtuar të gjithë dinamikën e ngjarjes.
Ornella Forastefano menaxhonte një lokal në qendër të Trebisacces, aktivitet që e ushtronte së bashku me dy fëmijët e saj.
Ndërkohë, autoritetet italiane po vijojnë hetimet për të përcaktuar rrethanat e sakta të vdekjes dhe nëse 42-vjeçari i ndaluar në Bari ka përgjegjësi penale për ngjarjen.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






