Transmetuar më 16-08-2026, 20:56

SPORT – Cristiano Ronaldo ka dhënë sinjalin më të fortë deri tani për fundin e karrierës së tij si futbollist profesionist. Sulmuesi portugez, tashmë 41 vjeç, ka deklaruar se sezoni aktual mund të jetë i fundit në futbollin e luajtur.

Në një intervistë për revistën “Vogue”, Ronaldo ka folur për të ardhmen, jetën pas futbollit dhe trashëgiminë që dëshiron të lërë pas pas më shumë se dy dekadash në nivelet më të larta të sportit.

“Ky është ndoshta viti im i fundit në futboll dhe dua të lë një trashëgimi spektakolare”, është shprehur pesë herë fituesi i “Topit të Artë”.

Pavarësisht deklaratës, Ronaldo nuk ka përcaktuar një datë konkrete për tërheqjen. Ai është aktualisht pjesë e Al-Nassr, me kontratë deri në qershor të vitit 2027.

Po përgatitet për jetën pas futbollit

Ronaldo ka pranuar se largimi nga futbolli, një sport që ka qenë pjesë e jetës së tij për rreth 25 vjet, do të krijojë një boshllëk të madh. Për këtë arsye, ai thotë se ka nisur të planifikojë një sërë aktivitetesh që do ta mbajnë të angazhuar edhe pas tërheqjes.

“E kam të planifikuar të ardhmen. Kam kaq shumë gjëra që më mbajnë të zënë, sa është e vështirë të përmend vetëm një”, ka deklaruar portugezi.

Mes planeve të tij janë më shumë kohë me familjen, udhëtimet dhe pasionet personale. Ronaldo ka përmendur veçanërisht padelin, sport të cilin e praktikon dhe e pëlqen.

Ai ka theksuar se, pas viteve të karakterizuara nga stërvitjet, sakrificat dhe angazhimi maksimal në futboll, synon të shijojë më shumë jetën dhe rezultatet e karrierës së tij.

Fundi me Portugalinë?

Në nëntor të vitit të kaluar, Ronaldo kishte deklaruar se mund të vazhdonte të luante edhe për “një ose dy vjet”. Ndërkohë, ai kishte bërë të ditur se Kupa e Botës 2026 do të ishte turneu i tij i fundit me kombëtaren portugeze.

Pas eliminimit të Portugalisë nga Spanja, Ronaldo nuk dha një përgjigje përfundimtare mbi të ardhmen e tij, duke lënë të hapur mundësinë e një vazhdimi të karrierës me klubin.

Intervista për “Vogue” u zhvillua vetëm pak ditë përpara martesës së tij me Georgina Rodríguez. Çifti kurorëzoi martesën në një ceremoni private në banesën e tyre në Cascais të Portugalisë.

Tashmë, një prej futbollistëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave po i afrohet fundit të një epoke, ndërsa mbetet për t’u parë nëse Ronaldo do ta mbyllë karrierën në fund të këtij sezoni apo do të vijojë të luajë deri në përfundim të kontratës me Al-Nassr.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit