

Ky është Durim Elmazi, invalidi i sapo pensionuar që prej 2 vite e gjysmë është bujtur në Spitalin e Përmetit.
Ashtu, të sakatosur në dhjetor të 2023, të afërmit e tij e kanë sjellë tek dera e Spitalit të Përmetit dhe janë larguar pa lënë gjurmë.
Durimi ndonëse është vendali, nga fshati Mokricë, nuk ka një strehë ku të fusë kokën. I divorcuar nga gruaja disa vite më parë kur ishte emigrant në Greqi, atij i amputojnë këmbën si pasojë e një gangrene të gjeneruar nga diabeti.
Për pasojë, të afërmit e tij, sigurisht as gruaja dhe as të bijat, e shoqërojnë për në Shqipëri dhe pasi e mbajnë disa javë në banesat e tyre, vendosën që t’i gjejnë një “strehë” përmes justifikimit të kompleksitetit të sëmundshmërisë, që ai mbart prej vitesh. Hyrje-daljet në spitalet e Përmetit dhe Gjirokastrës kanë qenë piknisja e strehimit fillestar të Durimit, i cili më në fund vendosi që të jetojë i vetëm në një dhomë në katin e dytë të Spitalit të Përmetit, qysh prej majit të vitit 2024.
Në një rrëfim prekës të tij për Jugulajm.net, Elmazi pranon se e kanë braktisur si e shoqja, por dhe dy vajzat, që sikurse thotë ai, kanë jetën e tyre në Greqi pasi kanë krijuar familjet e tyre.
Elmazi erret e gdhihet nën shërbimin spitalor, ku dhe trajtohet me të gjitha medikamentet e nevojshme, ndonëse nuk është për hospitalizim. Por spitali është e vertmja çati, ku ka futur kokën. Kryeinfermierja e Spitalit të Përmetit, Antoneta Gaqo, shprehet se Durimit nuk i ka munguar asnjë përkujdesje, qoftë kjo medikamentale e higjenike, por dhe është trajtuar dhe me ushqim.
Lidhur me këtë rast shumë të rrallë, ku Spitali është shndërruar në vend bujtje për një të sëmurë, Jugulajm.net është interesuar në Ministrinë e Shëndetësisë. Nga kjo ministri sqarohet se Durim Elmazi, ndodhet në Spitalin e Përmetit prej 27 majit 2024 në kujdesin e strukturave shëndetësore, pas një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe në kushtet e një situate të vështirë sociale dhe familjare.
Gjatë kësaj periudhe, pacientit i është ofruar në vazhdimësi trajtim mjekësor, kujdes infermieror, asistencë për higjienën personale dhe mbështetje gjatë lëvizjes në ambientet e spitalit. Paralelisht, janë angazhuar strukturat sociale vendore dhe rajonale për gjetjen e një zgjidhjeje afatgjatë. Në bashkëpunim me Bashkinë Përmet janë siguruar ndihmë ekonomike, mbështetje ushqimore dhe pagesa e kontributeve të nevojshme për pensionin. Më 11 gusht 2026 është kryer edhe aplikimi për lidhjen e pensionit.
Rasti i Durim Elmazit, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, është kompleks shëndetësor e social, i cili kërkon bashkërendim të vazhdueshëm mes strukturave shëndetësore, shërbimeve sociale dhe pushtetit vendor.
Kjo është dramë që përjetohet nga një i sakatosur, prind i dy vajzave që kurrë nuk e kanë kthyer kokën nga i jati i tyre, për t’i ofruar qoftë dhe një strehëz për të ngrysur vitet që i kanë ngelur.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






