Transmetuar më 16-08-2026, 16:51

Dhuna ndaj kryepolicit të Sarandës, Hita pezullon policët që punonin dhe për diskotekën, arrestohet administratori (Video)

Sarandë – Goditën për shkak të detyrës Shefin e Hetimit të Krimit të Komisariatit të Policisë Sarandë, i cili ndërhyri për të parandaluar përshkallëzimin e një konflikti mes rojeve të sigurisë së një lokali dhe disa shtetasve, vihen në pranga 6 shtetas, mes tyre edhe administratori i lokalit, si dhe shpallet në kërkim një tjetër.

Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, ka pezulluar menjëherë nga detyra dhe ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale për nisjen e hetimit disiplinor ndaj dy punonjësve të Policisë, për dypunësim pa leje në lokalin ku ndodhi konflikti dhe për mosndërhyrje për parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit.

Çfarë ndodhi

Këtë të diel 16 gusht 2026, rreth orës 03:20, në rrugën “Butrinti”, Sarandë, në ambientet e jashtme të lokalit Orange, rojet e sigurisë së lokalit po konfliktoheshin me disa persona të tjerë dhe nuk kishin njoftuar shërbimet e Policisë.

Gjatë konfliktit, Shefi i Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Sarandë, nënkomisar Mateo Bakalli po kalonte në rrugë me mjetin e tij dhe, kur ka konstatuar konfliktin, ka ndaluar, duke u prezantuar me detyrën që mbante dhe duke u përpjekur të parandalonte përshkallëzimin e konfliktit.

Rojet e sigurisë së lokalit nuk e kanë ndaluar konfliktin fizik, por kanë filluar të godasin me grushte edhe Shefin e Hetimit, i cili ka kaluar në vetëmbrojtje dhe ka arritur të komunikojë me shërbimet e Policisë për të kërkuar ndihmë.

Pas rreth 1 minute, kanë shkuar në ndihmë shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe Forcat Kombëtare të Sigurisë, të cilat kanë neutralizuar përshkallëzimin e konfliktit dhe kanë shoqëruar disa persona që janë gjendur të pranishëm në konflikt.

Shërbimet e Policisë kanë vijuar kontrollet dhe, në një banesë në fshatin Gjashtë, Sarandë, kanë lokalizuar dhe shoqëruar edhe pjesën tjetër të rojeve të lokalit ku kishte ndodhur konflikti fizik.

Në vijim të veprimeve të kryera nga Oficerët e Policisë Gjyqësore, në bashkëpunim me Prokurorinë Sarandë, është bërë arrestimi i shtetasve:

M. K., 35 vjeç, administrator i lokalit ku ndodhi konflikti;

E. N., 38 vjeç; F. H., 35 vjeç; I. Ç., 34 vjeç; dhe A. K., 31 vjeç, ushtarak në Zall-Herr, roje sigurie në lokalin ku ndodhi konflikti, si dhe B. S., 29 vjeç, taksist.

Po në vijim të veprimeve, u bë shpallja në kërkim e shtetasit P. D., 28 vjeç, roje sigurie në lokalin ku ndodhi konflikti.

Gjithashtu, në lidhje me ngjarjen e ndodhur, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, u pezulluan menjëherë nga detyra dy punonjësit e Policisë, Inspektor A. Sh., efektiv i Repartit “RESI”, dhe nënkomisar A. B., efektiv i RENEA-s.

Këta punonjës, të dypunësuar pa leje në lokalin ku ndodhi konflikti, nuk kanë njoftuar Policinë për konfliktin që po ndodhte dhe, pavarësisht se ishin jashtë detyre, duhet të ndërhynin për parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit.

Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka dërguar një grup pune në Sarandë, ku ka nisur hetimin disiplinor për dy punonjësit e Policisë, tashmë të pezulluar nga detyra.

Hetimet vijojnë nga Prokuroria për vënien para përgjegjësisë ligjore të të gjithë personave të përfshirë në këtë ngjarje.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit