

ITALI – Një 42-vjeçar me origjinë shqiptare është ndaluar në portin e Barit, teksa dyshohet se po përpiqej të largohej drejt Shqipërisë, pas vdekjes së partneres së tij në provincën e Kozencës.
Elvis Metvelaj, 42 vjeç nga Shqipëria, është autori i dyshuar i ngjarjes i cili u arrestua në portin e Barit duke tentuar të vijë në Shqipëri.
Bëhet fjalë për Ornella Forastefano, 46 vjeçe, e cila u gjet në gjendje të rëndë pranë hyrjes së Urgjencës së spitalit të Trebisacces gjatë orëve të para të mëngjesit. Mjekët tentuan ta reanimonin, por 46-vjeçarja nuk mundi të mbijetonte. Sipas autoriteteve, ajo kishte pësuar dëmtime të rënda dhe politrauma, që dyshohet se ishin shkaktuar nga dhuna fizike.

Elvis Metvelaj
Pas ngjarjes, hetuesit u përqendruan te partneri i saj, me të cilin viktima bashkëjetonte prej rreth një viti. 42-vjeçari ishte shpallur në kërkim dhe u lokalizua në portin e Barit, përpara se të largohej drejt Shqipërisë. Aktualisht ai po merret në pyetje nga hetuesit, ndërsa autoritetet po përpiqen të rindërtojnë orët e fundit të jetës së gruas dhe të përcaktojnë përgjegjësinë e tij të mundshme.
Sipas të dhënave të publikuara nga autoritetet italiane, 42-vjeçari ishte i njohur për precedentë penalë në fushën e narkotikëve. Hetimi po zhvillohet nga Nucleo Investigativo i Komandës Provinciale të Karabinierëve të Kozencës, Kompania e Cassano allo Ionio dhe Tenenza e Trebisacces, nën drejtimin e Prokurorisë së Castrovillarit.
Viktima menaxhonte një lokal
Ornella Forastefano administronte një bar në qendër të Trebisacces së bashku me dy fëmijët e saj. Ajo ishte me origjinë nga Cassano allo Ionio dhe banonte në Amendolara.
Emri i saj është i lidhur edhe me një histori familjare të njohur në zonë. Babai i saj, Antonio Forastefano, u vra në vitin 1999 teksa dilte nga peshkaria e tij në Marina di Sibari.
Në raportimet e mediave italiane përmenden gjithashtu lidhje familjare me persona të hetuar ose të dënuar në kontekstin e ‘Ndranghetës. Megjithatë, autoritetet kanë bërë të qartë se deri tani nuk ka elemente që ta lidhin këtë histori familjare me vdekjen e 46-vjeçares.
Hetuesit po verifikojnë tashmë të gjitha rrethanat e ngjarjes, përfshirë mënyrën se si gruaja u transportua dhe u la pranë spitalit. Ndërkohë, ndalimi i partnerit në Bari pritet të ndihmojë në zbardhjen e dinamikës së plotë të ngjarjes dhe të përgjegjësive të mundshme penale.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






