

TIRANË – Tentativa për vrasjen e Mir Bitocit në një lokal në Elbasan nuk do të ishte ngjarja e parë e dhunshme mes autorit të dyshuar, Poli Boriçi, dhe familjes Bitoci.
Sipas të dhënave të raportuara mediatikisht, historia mes dy familjeve daton në vitin 2008, kur Poli Boriçi akuzohet se plagosi Luan Bitocin, vëllain e Ermir Bitocit. Pavarësisht kalimit të viteve, motivi i saktë i asaj ngjarjeje nuk është bërë i ditur.
Çfarë ndodhi në vitin 2008?
Pas plagosjes së Luan Bitocit, familjarë të Boriçit kanë ndërhyrë për të qetësuar situatën. Sipas burimeve, vëllai i Polit ka kontaktuar familjen Bitoci dhe u ka kërkuar falje për ngjarjen, duke e lidhur atë me problemet e shëndetit mendor që, sipas familjarëve, kishte autori.
Familja Bitoci ka pranuar ta falë dhe konflikti nuk është përshkallëzuar më tej. Për plagosjen, Boriçi ka vuajtur rreth gjashtë muaj burgim dhe më pas është liruar.
Tentativa e dytë, 17 vite më vonë
Pasditen e djeshme, historia është rikthyer në vëmendje pas përplasjes së ndodhur në një lokal në Elbasan. Sipas burimeve të dosjes, Boriçi ndodhej në të njëjtin ambient me Miri Bitocin, kur ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar në drejtim të tij, në një tentativë që dyshohet se kishte për qëllim vrasjen.
Burimet pranë familjes Bitoci bëjnë me dije se Boriçi kishte rreth një javë që ishte kthyer në Shqipëri, pasi jetonte jashtë vendit.
Në armën që dyshohet se mbante me vete, sipas burimeve të dosjes, kishte nëntë fishekë në karikator.
Dëshmia në Polici
Një tjetër element i rëndësishëm i hetimit është dëshmia që Boriçi ka dhënë para policisë pas ngjarjes.
Sipas burimeve, ai ka deklaruar se kishte parë disa automjete me xhama të zinj dhe se më pas kishte menduar se i ishte kërkuar nga Allahu që të vriste Mir Bitocin.
“Ju më keni ardhur me 200 makina me xhama të zinj. Unë i shihja nga dritarja dhe më tha Allahu që ta vrisja”, mësohet të ketë deklaruar Boriçi para efektivëve të Policisë.
Deri në këto momente, zyrtarisht hetuesit nuk kanë bërë publik një motiv të konfirmuar për konfliktin. Dyshimet e ngritura në lidhje me gjendjen e tij mendore mbeten pjesë e verifikimeve dhe nuk përbëjnë një konstatim përfundimtar mjekësor apo ligjor.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






