Transmetuar më 16-08-2026, 15:29

Rreth 10 muaj pasi autoritetet britanike arrestuan të riun shqiptar Xhuljano Hoxha, orët e fundit është bërë e mundur që të rikthehet në Shqipëri ku pritet të vuajë një dënim penal.

Nga Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Londra/Mbretëria e Bashkuar drejt vendit tonë i shtetasit Xhuljano Hoxha, 31 vjeç, lindur në Berat.

Hoxha  ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në prill të vitit 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale, ose grup i strukturuar kriminal”.

Bëhet fjalë për rastin e zbuluar dhe goditur më datë 10 nëntor 2022, në fshatin Drenovicë, qarku Berat.

Nga hetimet e kryera nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar rezulton se Xhuljano Hoxha në bashkëpunim me persona të tjerë, ishte i përfshirë në kultivimin e bimëve narkotike.

Si rezultat i bashkëpunimit midis Interpol Mançester/Mbretëri e Bashkuar dhe Interpol Tiranës, u bë i mundur arrestimi dhe ekstradimi i tij në Shqipëri.

Kapja në Britani e të riut Xhuljano Hoxha, pasi kërkohej për serat me kanabis në Berat

Xhuljano Hoxha është arrestuar në Mbretërinë e Bashkuar me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për përfshirjen e dyshuar në grupin kriminal që kultivonte kanabis në sera në fshatin Drenovicë të Beratit.

Sipas Policisë së Shtetit, arrestimi u bë falë bashkëpunimit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Mançester, në kuadër të operacionit “The Wanted”.

Ndaj Hoxhës, GJKKO ka caktuar më 22 prill 2025 masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.

Ai dyshohet si pjesëtar i grupit kriminal të goditur gjatë operacionit “Stuhia” në nëntor të vitit 2022 në Drenovicë, ku policia sekuestroi rreth 870 kilogramë kanabis.

Sera ku zhvillohej aktiviteti u zbulua më 10 nëntor 2022. Ajo ishte në pronësi të Hamdi Dylit dhe ishte ndarë në katër pjesë, secila me sipërfaqe rreth dy dynymë.

Gjatë operacionit u shoqëruan dhe ndaluan mbi 100 persona, mes tyre 95 gra që ishin punësuar për pastrimin e lëndës narkotike. Sipas të dhënave të bëra publike në atë kohë, gratë, kryesisht nga Fushë-Kruja dhe Lezha, ishin joshur me pretendimin se do të punonin për vjeljen e ullinjve. Kur kishin kuptuar se bëhej fjalë për përpunim kanabisi, ato dyshohet se ishin kërcënuar që të mos largoheshin.

Në vijim të hetimeve, 11 persona u arrestuan, ndërsa në verifikim u përfshinë edhe 57 efektivë të Policisë së Beratit, mes tyre drejtues të strukturave vendore.

Dosja fillimisht u hetua nga Prokuroria e Beratit, e cila më pas shpalli moskompetencën dhe ia kaloi çështjen SPAK-ut. Hetuesit dyshojnë se pas aktivitetit të paligjshëm qëndronin dy grupe të strukturuara kriminale.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit