Transmetuar më 16-08-2026, 14:09

TIRANË – Tre persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar për vepra të rënda penale kanë përfunduar në pranga falë operacioneve të koordinuara mes Policisë shqiptare dhe autoriteteve të huaja. Rastet lidhen me Spanjën, Rumaninë dhe Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa një prej të arrestuarve kërkohet në Shqipëri prej vitit 2018.

Në Rumani është lokalizuar dhe arrestuar Aurel Hoxhallari, 49 vjeç, i cili pritet të ekstradohet drejt Shqipërisë. Ai është shpallur në kërkim për një sërë akuzash, mes tyre vrasje me paramendim, trafik narkotikësh, armëmbajtje pa leje dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Emri i tij është lidhur nga autoritetet me dosjen e vrasjes së Devi Kasmit.

Në të njëjtën kohë, në Rinas është ndaluar 43-vjeçari Bujar Buja, i lindur në Gjakovë dhe me banim në Amsterdam. Autoritetet spanjolle e kërkojnë për trafik narkotikësh dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale, ndërsa dyshohet se ka pasur rol në transportin e kokainës për një grup kriminal që vepronte në Spanjë.

Një tjetër i kërkuar, Xhuljano Hoxha, 31 vjeç, është sjellë në Shqipëri nga Londra. Ai kërkohet nga SPAK për prodhim dhe shitje narkotikësh dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, në kuadër të një hetimi të zhvilluar në qarkun e Beratit në vitin 2022.

Operacionet janë zhvilluar përmes bashkëpunimit të Interpol Tiranës me autoritetet e Spanjës, Rumanisë dhe Britanisë së Madhe. Procedurat për ekstradimin e personave të arrestuar vijojnë, ndërsa autoritetet shqiptare po punojnë edhe për lokalizimin e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit