Transmetuar më 16-08-2026, 13:48

TIRANË – Ministria e Mbrojtjes ka përditësuar situatën e zjarreve në vend, duke bërë me dije se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 43 vatra zjarri. Prej tyre, 10 vijojnë të jenë aktive, ndërsa 3 të tjera janë nën monitorim.

Në operacionet për përballimin e situatës janë angazhuar 499 forca operacionale dhe 43 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura kanë kontribuar me 120 efektivë, helikopterë dhe avionë Air Tractor, ndërsa aktualisht në terren vijojnë të operojnë 120 efektivë të FA, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.

Një nga vatrat ku vijon ndërhyrja është Mali i Dajtit, ku po punohet për shuarjen e flakëve me mbështetjen e forcave të FA dhe mjeteve ajrore. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, nuk ka rrezik për zonat e banuara. Ndërkohë, vatra Priskë–Gurrë e Madhe–Farkë–Lundër është nën kontroll dhe monitorim. Edhe në Abaze të Krujës zjarri vijon të jetë aktiv, por me intensitet të ulët dhe pa rrezik për banesat.

Situatë e rëndësishme paraqitet në Gurë-Lurë të Dibrës, ku po zhvillohet një nga operacionet më të mëdha. Në terren janë angazhuar forca bashkiake, policore, ADZM, MZSH dhe Forcat e Armatosura, të mbështetura nga dy avionë Air Tractor. Hapja e korridoreve ka ndaluar avancimin e flakëve drejt zonave të banuara.

Ndërkohë, operacione dhe monitorime po vijojnë edhe në Qafë Helmes, Lufaj e Thari në Mirditë, Fushë-Lajë e Rrjoll në Shkodër dhe Dardhë të Librazhdit. Autoritetet po përdorin edhe dronë për monitorimin e vatrave në terrene të vështira, ndërsa Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon koordinimin dhe monitorimin e situatës në të gjithë territorin.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit