

HUNGARI – Të paktën 12 persona kanë humbur jetën dhe 10 të tjerë janë plagosur në një aksident të rëndë rrugor në Hungari, ku një autobus me targa polake ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një kanal anës autostradës.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në autostradën M3, pranë qytetit Mezőkeresztés, në lindje të Hungarisë. Sipas raportimeve paraprake, autobusi është përmbysur pasi ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në kanalin pranë saj.
Lajmi është konfirmuar mëngjesin e së dielës nga kryeministri hungarez, Peter Magyar, i cili ka shprehur ngushëllimet për familjet e viktimave dhe ka falënderuar ekipet e emergjencës për operacionin e shpëtimit.
Sipas mediave lokale, autobusi kishte dy drejtues dhe në momentin e aksidentit transportonte rreth 57 persona.
Pas përplasjes, ekipet e emergjencës kanë ndërhyrë gjatë natës për nxjerrjen e pasagjerëve nga autobusi i përmbysur. Të plagosurit janë transportuar për ndihmë mjekësore, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit tragjik.
Deri tani nuk janë bërë të ditura detaje të mëtejshme mbi identitetin e viktimave apo gjendjen shëndetësore të të plagosurve.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






