

FINIQ – Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë mëngjesin e kësaj të diele restorantin në resortin “Mesopotam Agroturizëm”, përgjatë aksit rrugor Sarandë–Syri i Kaltër.
Zjarri dyshohet se ka rënë rreth orës 05:30, ndërsa flakët janë përhapur me shpejtësi në ambientet e restorantit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Struktura është shkrumbuar plotësisht nga zjarri.
Pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet zjarrfikëse të Finiqit, të cilat kanë ndërhyrë për izolimin e flakëve.
Pas ndërhyrjes së tyre është bërë i mundur frenimi i zjarrit dhe është shmangur përhapja e tij drejt kabinave prej druri që ndodheshin pranë restorantit dhe janë pjesë e kompleksit.
Nga informacionet paraprake, dyshohet se zjarri mund të jetë shkaktuar nga një shkëndijë ose një defekt në rrjetin elektrik. Megjithatë, shkaku i saktë ende nuk është përcaktuar.
Ekspertët kanë nisur verifikimet në vendngjarje për të dokumentuar dëmet dhe për të përcaktuar rrethanat e plota të rënies së zjarrit.
Për momentin nuk dihen shkaqet e rënies së zjarrit. Pritet që hetimet dhe verifikimet në vendngjarje të përcaktojnë se çfarë ka shkaktuar flakët.
Mesopotam Agroturizëm konsiderohej një prej investimeve më të rëndësishme turistike të realizuara vitet e fundit në zonën e Mesopotamit. Resorti ishte ndërtuar rreth tre vite më parë dhe ishte kthyer në një pikë të njohur përgjatë rrugës që lidh Sarandën me Syrin e Kaltër.
Zjarri i mëngjesit të sotëm ka lënë pas dëme të mëdha materiale, ndërsa deri tani nuk raportohet për persona të lënduar.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






