Transmetuar më 16-08-2026, 11:17

FUSHË-KRUJË – Detaje të reja janë zbardhur lidhur me shpërthimin me lëndë të dyshuar plasëse në banesën e shtetasit Ylli Zalla, në fshatin Zallë të Fushë-Krujës, ku përveç dëmtimeve në banesë, u dogj edhe automjeti i tij.

Sipas informacioneve paraprake, shpërthimi ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës, ndërsa Policia është njoftuar vetëm paraditen e sotme. Telefonata në sallën operative është bërë nga bashkëshortja e Zallës, e cila ndodhet në Itali.

Një tjetër element që po vështirëson hetimin është fakti se në banesë dhe në zonën përreth nuk rezulton të ketë kamera sigurie. Për këtë arsye, momenti i vendosjes së lëndës plasëse dhe shpërthimi nuk janë dokumentuar nga pajisje vëzhguese.

Ndërkohë, grupi hetimor po vijon verifikimet për të përcaktuar autorin dhe motivet e ngjarjes. Burime nga Policia bëjnë me dije se një nga pistat e hetimit është edhe dyshimi se lënda plasëse mund të jetë vendosur nga vetë Ylli Zalla. Kjo mbetet një pistë hetimore dhe nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Sipas të njëjtave burime, fillimisht bashkëshortja e Zallës ka pretenduar se në vendngjarje ishte gjetur edhe një letër kërcënuese, por më pas e ka tërhequr këtë deklarim.

Hetuesit po verifikojnë gjithashtu mundësinë që ngjarja të jetë inskenuar, ndërsa po kryhen kontrolle mbi lëvizjet e Zallës dhe rrethanat që i paraprinë shpërthimit. Një nga pistat që po shqyrtohet është edhe ajo që ngjarja mund të jetë përdorur si pretendim për rrezikim të jetës dhe për të kërkuar azil jashtë vendit.

Hetimet vijojnë për të sqaruar nëse bëhet fjalë për një sulm të jashtëm apo për një ngjarje të inskenuar nga vetë personi.

Kush është Ylli Zalla

Zalla është person i kërkuar prej muajsh për një çështje që lidhet me një arsenal armësh, të gjetur në kuadër të hetimeve për atentatin ndaj Gilmando Danit në Rinas. Ai u akuzua fillimisht se ishte bashkëpunëtor në ngjarje, por akuzat nuk u faktuan kurrë.

Gjatë një aksioni për kapjen e tij, policia i ka gjetur në banesë bomba artizanale, ndërsa kjo është hera e dytë që në shtëpinë e tij gjendet municion.

49-vjeçari ka refuzuar të dorëzohet prej muajsh, teksa edhe në të shkuarën është arrestuar tre herë të tjera.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit