Transmetuar më 16-08-2026, 09:23

VLORË – Policia thotë se ka zbardhur shkakun paraprak të zjarrit që përfshiu një hotel në lagjen “10 Korriku” në Vlorë, në orët e para të mëngjesit.

Sipas njoftimit zyrtar, zjarri ka rënë rreth orës 04:05 në ambientet e brendshme të godinës, ndërsa nga këqyrja e pamjeve të kamerave të sigurisë dhe veprimet hetimore në vendngjarje është përcaktuar se bëhej fjalë për një ngjarje aksidentale.

Ekspertët kanë arritur në përfundimin paraprak se flakët janë shkaktuar nga djegia e prizës elektrike së frigoriferit, i cili ndodhej në ambientet e restorantit të hotelit.

Gjashtë pushues të lënduar

Si pasojë e zjarrit janë lënduar gjashtë pushues, pesë prej tyre shtetas të Kosovës dhe një shtetas nga Rrësheni.

Pesë të lënduar janë transportuar drejt Tiranës për mjekim të specializuar në Spitalin e Djegieve. Sipas Policisë, dy prej tyre kanë pësuar djegie të konsiderueshme në trup.

Ndërkohë, një tjetër i lënduar po merr trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Vlorës.

Zjarri ka shkaktuar gjithashtu dëme të konsiderueshme materiale në ambientet e hotelit.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet procedurale për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe përcaktimin e të gjitha rrethanave të saj.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit