

ELBASAN – Ermir Kërtezi, i njohur edhe si “Mir Bitoci”, është personi që u vu në shënjestër të një atentati të ndodhur mesditën e së shtunës në një lokal në Elbasan.
Sipas informacioneve paraprake dhe pamjeve të siguruara nga vendi i ngjarjes, autori i është afruar Kërtezit dhe i ka drejtuar armën nga afër, duke tentuar të qëllojë. Megjithatë, arma nuk ka funksionuar.
Kërtezi ka reaguar menjëherë, duke iu shmangur armës dhe duke u larguar nga lokali. Autori është arrestuar disa orë më vonë nga Policia.
Kush është Ermir Kërtezi?
Kërtezi është një emër i përmendur prej vitesh në kronikat kriminale të Elbasanit, veçanërisht për lidhje dhe konflikte të raportuara gjatë periudhës së trazirave të vitit 1997 dhe viteve që pasuan.
Në atë periudhë, pas rënies së skemave piramidale, Elbasani u përfshi nga një situatë e rëndë kaosi dhe pasigurie, ndërsa në qytet vepronin grupe të armatosura dhe u regjistruan një sërë ngjarjesh kriminale.
Në kronikat e asaj kohe përmendej edhe grupi i drejtuar nga Eduart Peqini, i njohur si “Mandela”, një prej emrave të njohur të botës kriminale të Elbasanit gjatë trazirave të vitit 1997.
Kërtezi u largua më pas nga Shqipëria dhe prej vitesh jeton jashtë vendit. Rikthimi i tij në Elbasan tashmë po hetohet në kuadër të atentatit ndaj tij. Hetuesit po verifikojnë motivin
Pas arrestimit të autorit, hetuesit po punojnë për të zbardhur motivin e sulmit dhe për të përcaktuar nëse atentati lidhet me konflikte të vjetra apo me përplasje më të fundit.
Në fokus të hetimit janë edhe e kaluara e Kërtezit, qëndrimi i tij prej vitesh jashtë Shqipërisë dhe rrethanat e rikthimit në Elbasan.
Pamjet e kamerave të sigurisë, dëshmitë dhe provat e sekuestruara pritet të ndihmojnë grupin hetimor për të rindërtuar dinamikën e ngjarjes dhe për të përcaktuar nëse sulmi ishte i planifikuar.
Fakti që arma nuk ka shkrepur në momentin e atentatit ka bërë që Kërtezi të shpëtojë i padëmtuar, ndërsa autori tashmë ndodhet në pranga dhe përballet me hetimet për ngjarjen.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






