

VLORË – Detaje të reja janë bërë publike për gjendjen e personave të plagosur nga zjarri që përfshiu një hotel në zonën e Lungomares në Vlorë.
Shefi i Reanimacionit në Vlorë, Edmond Breshanaj, tha se gjashtë pacientë kanë mbërritur në spital rreth orës 04:30, pasi ishin dëmtuar nga zjarri që kishte përfshirë godinën.
Sipas tij, pacientët ndodheshin në katin e dytë të ndërtesës. Tre prej tyre kishin pësuar djegie të rënda, ndërsa dy të tjerë ishin hedhur nga kati i dytë për t’u shpëtuar flakëve dhe kishin pësuar fraktura të kolonës.
“Ishte një situatë shumë emergjente. Bëhej fjalë për 6 pacientë të dëmtuar nga zjarri, të cilët ndodheshin në katin e dytë. Tre prej tyre kishin djegie të rënda, ndërsa dy të tjerë ishin hedhur nga kati i dytë dhe kishin pësuar fraktura të kolonës”, deklaroi Breshanaj.
Dy prej pacientëve janë nisur drejt Qendrës së Traumës në Tiranë, pasi nuk kishin pësuar djegie, ndërsa tre të tjerë u trajtuan në repartin e djegieve.
Gjendja e një prej pacienteve paraqitet veçanërisht e rëndë. Sipas shefit të reanimacionit, ajo kishte djegie në pothuajse 100% të sipërfaqes së trupit dhe ndodhet në rrezik për jetën. Një tjetër paciente kishte djegie në rreth 50% të trupit.
“Njëra prej pacienteve, e cila është në rrezik për jetën, kishte djegie në pothuajse 100% të trupit, ndërsa një tjetër rreth 50%”, tha Breshanaj.
Të plagosurit janë persona të moshave të reja, rreth 25–30 vjeç. Sipas të dhënave të bëra publike nga mjeku, ata janë nga Prishtina, Lipjani dhe Rrësheni.
Zjarri dyshohet se ka nisur në një lokal në katin e parë të godinës dhe më pas është përhapur në katin e dytë, ku ndodhej hoteli. Autoritetet po vijojnë hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e ngjarjes.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






