

TIRANË – Tregu i qiradhënies afatshkurtër në Shqipëri po zgjerohet përtej destinacioneve tradicionale, ndërsa të dhënat për gjashtëmujorin e parë të vitit 2026 tregojnë diferenca të dukshme mes kryeqytetit dhe zonave bregdetare.
Tirana mbetet tregu më i qëndrueshëm gjatë gjithë vitit, falë udhëtimeve për biznes, eventeve, vizitave familjare dhe qëndrimeve të shkurtra të turistëve. Në bregdet, aktiviteti është më sezonal, por tarifat dhe të ardhurat rriten ndjeshëm gjatë muajve të verës.
Sipas të dhënave të AirDNA, të bëra të disponueshme për “Monitor”, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026 në Shqipëri ishin të listuara rreth 27.7 mijë njësi banimi për qira afatshkurtër.
Rreth 37% e tyre, ose 10.2 mijë njësi, ndodheshin në zonën Vlorë-Sarandë. Tirana renditej e dyta me rreth 20%, ose 5.5 mijë apartamente. Durrësi dhe Golemi së bashku përfaqësonin rreth 20% të tregut, ndërsa Shkodra kishte rreth 1.4 mijë apartamente të listuara.
Tirana kryeson gjatë vitit, Vlora shpërthen në sezon
Kryeqyteti vijon të jetë tregu me kërkesën më të qëndrueshme për qira ditore. Gjatë gjashtëmujorit të parë, Tirana regjistroi mesatarisht rreth 63 mijë net-qëndrime në muaj.
Situata ndryshoi me nisjen e sezonit veror. Në qershor, Vlora kaloi në krye me më shumë se 110 mijë net-qëndrime, nga rreth 50 mijë në maj.
Edhe Durrësi shënoi rritje të ndjeshme, duke arritur mbi 43 mijë net-qëndrime në qershor. Golemi dhe Shëngjini gjithashtu përjetuan rritje të kërkesës me afrimin e sezonit të plazhit.
Kështu, tregu po shfaq dy modele të ndryshme: Tirana ka kërkesë të shpërndarë gjatë gjithë vitit, ndërsa bregdeti përqendron pjesën më të madhe të aktivitetit në muajt e verës.
Tirana gjeneron më shumë të ardhura, por Vlora afrohet
Në total, Tirana gjeneroi rreth 16.3 milionë euro nga qiradhënia afatshkurtër gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026.
Vlora u rendit shumë pranë kryeqytetit, me rreth 15.5 milionë euro, pavarësisht se aktiviteti i saj është shumë më sezonal.
Durrësi gjeneroi rreth 7.7 milionë euro, ndërsa Shkodra rreth 2 milionë euro. Golemi arriti në rreth 1.5 milionë euro, ndërsa Korça dhe Shëngjini mbetën nën 500 mijë euro.
Të dhënat tregojnë se bregdeti mund të jetë më fitimprurës në muajt e pikut, ndërsa Tirana mbetet tregu më i madh dhe më i balancuar përgjatë vitit.
Golemi ka çmimet më të larta për natë
Për sa i përket tarifave ditore, Tirana nuk është në krye të renditjes.
Në gjashtëmujorin e parë të vitit, çmimi mesatar për një natë në kryeqytet ishte rreth 42.4 euro.
Tarifa më e lartë mes destinacioneve kryesore u regjistrua në Golem, me 51.3 euro për natë, i ndjekur nga Durrësi me 49.4 euro, Vlora me 48 euro dhe Shkodra me 47.2 euro.
Në fund të renditjes ishin Korça me 40.7 euro dhe Shëngjini me 41.7 euro.
Në qershor, diferencat u theksuan edhe më shumë. Një natë kushtonte mesatarisht rreth 76 euro në Durrës, 75 euro në Vlorë dhe 72 euro në Golem. Në Tiranë, çmimi mesatar ishte rreth 47 euro.
Sipas të dhënave të viteve të kaluara, në korrik dhe gusht tarifat në disa zona bregdetare mund të arrijnë mesatarisht në 80–90 euro për natë.
Tirana ka zënien më të qëndrueshme
Avantazhi i kryeqytetit qëndron te vazhdimësia e kërkesës.
Në prill, norma e zënies së apartamenteve me qira ditore në Tiranë arriti rreth 69%, ndërsa në qershor ishte 63.6%.
Vlora shënoi 62.2% zënie në qershor, ndërsa Durrësi dhe Golemi arritën përkatësisht në 60.3% dhe 57.9%.
Shkodra regjistroi 52.5% në qershor. Korça dhe Shëngjini vijuan të kishin më shumë ditë të lira, megjithëse edhe në këto tregje zënia u rrit me afrimin e sezonit veror.
Sa mund të fitohet në muaj?
Të ardhurat reale varen jo vetëm nga çmimi për natë, por edhe nga numri i ditëve që apartamenti është i zënë.
Në gjashtëmujorin e parë, e ardhura mesatare neto ditore, e përshtatur me zënien, ishte rreth 27.7 euro në Vlorë, 26.6 euro në Durrës, 25.5 euro në Tiranë dhe 24.8 euro në Golem.
Nëse këto vlera llogariten për një muaj, rezulton një e ardhur mesatare prej rreth:
830 euro në Vlorë 800 euro në Durrës 765 euro në Tiranë 745 euro në Golem 620 euro në Shkodër 510 euro në Shëngjin 410 euro në Korçë
Në qershor, me rritjen e kërkesës, të ardhurat u rritën ndjeshëm. Vlora arriti rreth 46.5 euro në ditë, ose afro 1,400 euro në muaj, ndërsa Durrësi 45.9 euro në ditë, ose rreth 1,380 euro në muaj.
Golemi arriti rreth 1,260 euro në muaj, ndërsa Shkodra afro 990 euro. Në Tiranë, të ardhurat mbetën më të ulëta, por më të qëndrueshme, duke mos kaluar rreth 900 euro në muaj.
Ku është më leverdishme të investosh?
Të dhënat sugjerojnë se nuk ekziston një përgjigje e vetme për pyetjen se cili qytet është më fitimprurës.
Tirana ofron stabilitet gjatë gjithë vitit, ndërsa bregdeti siguron potencial më të lartë fitimi gjatë sezonit veror.
Në qytetet bregdetare, një pronë e pozicionuar mirë pranë plazhit mund të gjenerojë të ardhura të larta në pak muaj. Por kjo shoqërohet me rrezikun e sezonalitetit dhe me periudha më të gjata me zënie të ulët.
Në kryeqytet, ndërkohë, kërkesa është më e shpërndarë dhe më pak e varur nga sezoni turistik.
Përfundimisht, leverdia e një investimi në qira ditore nuk përcaktohet vetëm nga qyteti. Vendndodhja e pronës, çmimi i blerjes, cilësia e apartamentit, niveli i zënies, vlerësimet në platforma dhe kostot e administrimit janë faktorë po aq të rëndësishëm.
Duhet theksuar se shifrat e mësipërme janë të ardhura të përshtatura me zënien dhe nuk përfaqësojnë fitimin neto të pronarit. Nga këto të ardhura duhet të zbriten kostot e pastrimit, mirëmbajtjes, energjisë, komisionet e platformave, taksat dhe administrimi i pronës.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






