

Kamerat kanë regjistruar momentin kur autori ngrihet nga tavolina, ndjek Ermir Bitocin dhe i drejton armën pas koke. Reagimi i menjëhershëm dhe një problem i dyshuar me pistoletën shmangën një fund tragjik
ELBASAN – Një ngjarje që mund të kishte përfunduar tragjikisht është regjistruar në Elbasan, ku një person dyshohet se ka tentuar të qëllojë me armë zjarri Ermir Bitocin, i njohur edhe me mbiemrin Kërtezi.
Pamjet e kamerave të sigurisë, të siguruara nga noa.al, tregojnë momentet para dhe gjatë incidentit, ndërsa hetuesit po punojnë për të rindërtuar të gjithë dinamikën.
Sipas të dhënave paraprake, ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:50. Në video, Bitoci, i veshur me bluzë të zezë, shihet fillimisht brenda një lokali. Pas disa minutash ai ngrihet nga tavolina dhe del jashtë.
Në të njëjtin ambient ndodhej edhe një tjetër person, i ulur në tavolinë në shoqërinë e një gruaje. Sapo Bitoci largohet, edhe ky person ngrihet dhe e ndjek.
Jashtë lokalit situata përshkallëzohet brenda pak sekondash. Personi me bluzë të bardhë, i identifikuar sipas të dhënave paraprake si Poli Boriçi, 52 vjeç nga Elbasani, i afrohet Bitocit nga pas dhe i drejton pistoletën në pjesën e pasme të kokës.
Bitoci reagon menjëherë, ndërsa përplasja mes tyre duket se pengon vijimin e sulmit. Ai arrin të shkëputet dhe largohet me vrap nga vendi.
Një nga pistat kryesore që po verifikohet nga grupi hetimor është mundësia që arma të jetë bllokuar pikërisht në momentin kur dyshohet se Boriçi ka tentuar të qëllojë.
Ekspertiza balistike pritet të përcaktojë nëse arma ka pasur një defekt teknik dhe nëse është tentuar realisht shkrepja e saj. Ky element konsiderohet i rëndësishëm edhe për kualifikimin juridik të ngjarjes.
Hetuesit kanë administruar pamjet e kamerave të sigurisë dhe po marrin dëshmitë e personave që ndodheshin në lokal në momentin e incidentit.
Në fokus është jo vetëm momenti i përplasjes, por edhe sjellja e personave përpara ngjarjes, për të përcaktuar nëse Bitoci është ndjekur qëllimisht dhe nëse sulmi ka qenë i planifikuar.
Motivi mbetet ende i paqartë dhe është një nga çështjet kryesore që po hetohen.
Emri i Ermir Bitocit është përmendur edhe më herët në kronikat që lidhen me zonën e Elbasanit dhe me episode të periudhës së trazuar të viteve 1997–2000. Sipas informacioneve të publikuara ndër vite, ai më pas ka jetuar kryesisht jashtë Shqipërisë.
Hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat, motivin dhe përgjegjësitë e personave të përfshirë në këtë ngjarje.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






