Transmetuar më 15-08-2026, 20:35

Policia e Shtetit u ka bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes ndaj një skeme të re mashtrimi online, që synon marrjen e të dhënave bankare dhe përfitimin e paligjshëm të parave.

Sipas Policisë, autorët e skemës dërgojnë mesazhe në celularë duke u paraqitur në mënyrë të rreme si përfaqësues të institucioneve bankare. Në këto mesazhe qytetarëve u kërkohet të përditësojnë të dhënat, të verifikojnë llogarinë bankare apo të kryejnë veprime të tjera, përmes një linku të përfshirë në mesazh.

Bëhet fjalë për skema të njohura si “phishing”, të cilat synojnë vjedhjen e kredencialeve të shërbimeve e-banking, kodeve të verifikimit OTP, si dhe të dhënave të kartave bankare.

Të dhënat e përfituara në mënyrë të paligjshme mund të përdoren më pas për kryerjen e transaksioneve të paautorizuara, duke shkaktuar dëme financiare për qytetarët.

Si të mbroheni?

Policia këshillon qytetarët:

Mos klikoni në linke të dërguara përmes SMS-ve, WhatsApp-it apo aplikacioneve të tjera, veçanërisht kur mesazhi vjen nga numra të panjohur. Mos jepni fjalëkalimet, kodet OTP, PIN-in apo të dhënat e kartës bankare. Kontrolloni gjithmonë adresën e internetit përpara se të identifikoheni në shërbimet bankare dhe përdorni vetëm kanalet zyrtare të bankës. Për çdo paqartësi, kontaktoni bankën përmes numrave dhe kanaleve të saj zyrtare.

Policia thekson se qytetarët duhet të jenë veçanërisht të kujdesshëm ndaj mesazheve që krijojnë ndjesinë e urgjencës ose kërkojnë verifikimin e menjëhershëm të llogarisë.

Çfarë të bëni nëse keni klikuar?

Nëse keni klikuar në një link të dyshimtë ose keni vendosur të dhënat tuaja bankare në një faqe të dyshimtë, Policia këshillon që të kontaktoni menjëherë bankën për bllokimin e kartës ose llogarisë dhe marrjen e masave të nevojshme.

Gjithashtu, duhet të ndryshoni menjëherë fjalëkalimet e aksesit në shërbimet bankare dhe të raportoni rastin pranë Policisë së Shtetit, Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike ose drejtorisë vendore të policisë.

Policia apelon për vigjilencë ndaj çdo mesazhi, linku apo faqeje interneti që kërkon të dhëna personale, bankare ose kode verifikimi.

Mos klikoni. Mos jepni të dhëna. Verifikoni gjithmonë përmes kanaleve zyrtare.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit