Transmetuar më 15-08-2026, 19:51

Ministria e Mbrojtjes ka bërë publike përditësimin e fundit mbi situatën e zjarreve në vend deri në orën 17:00 të së shtunës. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë ditës janë regjistruar 23 vatra zjarri, prej të cilave 13 vijojnë të jenë aktive, ndërsa dy të tjera janë nën monitorim.

Në operacionet për përballimin e situatës janë angazhuar 317 forca operacionale dhe 32 automjete zjarrfikëse. Në mbështetje të strukturave civile janë vendosur edhe 120 efektivë të Forcave të Armatosura, dy mjete zjarrfikëse, dy helikopterë dhe dy avionë “Air Tractor” të Forcës Ajrore.

Mali i Dajtit

Në Malin e Dajtit vijon operacioni në zonën mbi tunelet e Qafë-Mollës. Në terren ndodhen 50 efektivë të Forcave të Armatosura, të mbështetur nga dy helikopterë të Forcës Ajrore.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, nuk ka rrezik për zonat e banuara. Ndërkohë, vatra në aksin Priskë–Gurrë e Madhe–Farkë–Lundër është nën kontroll dhe monitorim.

Gurë-Lurë, Dibër

Një nga vatrat ku vijon angazhimi më i madh është ajo në Gurë-Lurë. Për të frenuar përhapjen e flakëve janë hapur korridore me mjete të rënda, duke penguar avancimin e zjarrit në drejtim të banesave.

Në terren janë angazhuar 150 forca bashkiake, 20 efektivë të Policisë, 11 të ADZM-së, 15 të MZSH-së dhe 50 efektivë të Forcave të Armatosura, të mbështetur nga dy avionë “Air Tractor”.

Sipërfaqja e djegur vlerësohet në rreth 200 hektarë pyll pishe, ndërsa aktualisht nuk raportohet rrezik për banesat.

Qafë Helmes

Në Qafë Helmes operacioni po vijon me 11 efektivë të MZSH-së, 27 forca bashkiake dhe 20 efektivë të Forcave të Armatosura.

Zjarri është shuar në krahun e fshatit Bulqizë, ndërsa vijon të jetë aktiv në drejtim të Selishtës. Sipas autoriteteve, nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Vatra të tjera

Në Abaze të Krujës vatra vijon aktive, por me intensitet të ulët dhe pa rrezik për zonat e banuara, ndërsa vatra në Zidoll është nën monitorim.

Në Lufaj të Mirditës vijon puna për shuarjen e zjarrit dhe hapjen e korridoreve ndarëse për të parandaluar përhapjen drejt banesave.

Në Fushë-Lajë të Pukës, zjarri vijon aktiv në terren të thyer, çka vështirëson ndërhyrjen e forcave. Edhe në këtë zonë nuk raportohet rrezik për banesat.

Vatra aktive raportohen gjithashtu në Sotirë, Dropull, Bregu i Lejlekut, Libohovë dhe Krahës të Memaliajt. Strukturat e MZSH-së vijojnë të jenë në terren dhe, sipas autoriteteve, nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në Gjormë, Aliban dhe Mesaplik vijojnë ndërhyrjet e strukturave të MZSH-së. Në Gjormë zjarri është vënë nën kontroll, ndërsa në Aliban dhe Mesaplik puna për shuarjen vazhdon. Nuk raportohet rrezik për banesat.

Ndërkohë, në Dardhë të Librazhdit vijon ndërhyrja e MZSH-së, shërbimit pyjor dhe forcave bashkiake.

Autoritetet bëjnë me dije se situata po menaxhohet përmes një angazhimi të koordinuar nga toka dhe ajri. Në pjesën më të madhe të vatrave aktive, deri në orën 17:00, nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, përmes Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, vijon monitorimin dhe koordinimin e operacioneve në të gjithë territorin.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit