

Gjykata e Apelit ka vendosur të pranojë kërkesën e Petri Bozos për lirim nha burgu dhe ka vendosur për të masën e sigurisë së arrestit shtëpiak.
Mësohet se Gjykata e Apelit Tiranë ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm nga paraburgimi të regjisorit Petri Bozo, i njohur më së shumti për organizimin e spektakleve për miss-e.
Më herët gjykata e Rrethit në Elbasan e kishte hedhur poshtë kërkesën e Bozos për nxjerrjen nga burgu dhe urdhëroi mbajtjen në qeli.
Vendimi u ankimua dhe dje Gjykata e Apelit Tiranë e ka rrëzuar vendimin e Shkallës së Parë duke vendosur masë më të butë sigurie që e lë jashtë burgut të dyshuarin për aksidentin fatal në Elbasan.
Më herët, në 15 korrik, gjykata e Apelit kishte lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë.
Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e 25 majit pranë shkollës së fshatit Mengël, në Elbasan. Viktima, një nxënës i klasës së parë, humbi jetën pasi u përplas nga automjeti që drejtohej nga Petri Bozo.
Sipas dosjes hetimore, Algiti 7-vjeçar ndodhej pranë rrugës së bashku me nënën e tij, pasi kishin shoqëruar motrën e tij në shkollë, kur ndodhi aksidenti fatal.

Vendimi i Gjykatës Elbasan më 28 maj 2026:
“Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, gjykata vendosi:
-Të pranojë kërkesën e Prokurorisë;
-Të vlerësojë si të ligjshëm arrestimin në flagrancë të P.B., të kryer më 25 maj 2026;
-Të caktojë ndaj tij masën e sigurimit personal “Arrest në burg”.
Sipas dosjes hetimore, P.B. dyshohet për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni 290/3 i Kodit Penal, që lidhet me shkeljen e rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë vdekjen.
Gjykata urdhëroi që i dyshuari të dërgohet në një institucion të ekzekutimit të vendimeve penale, në dispozicion të organit procedues, ndërsa ngarkoi Prokurorinë dhe policinë gjyqësore për zbatimin e vendimit.
Ndaj këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë brenda 5 ditëve nga njoftimi i tij”., shkruhet në njoftim.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






