

Del foto e dy motrave që humbën jetën në aksidentin tragjik në Lushnjë
Familjet Xhepa dhe Hasko kanë hapur dyert e mortit pas humbjes tragjike të dy motrave, Florie Xhepa, 53 vjeçe, dhe Mirela Hasko, 50 vjeçe, të cilat humbën jetën në aksidentin e rëndë të ndodhur më 13 gusht në fshatin Delisufaj të Lushnjës.
Lajmi për ndarjen e tyre nga jeta është bërë publik edhe nga Komuniteti Shqiptar në Parma, Itali, me kërkesë të familjes Xhepa.
Familjarët kanë njoftuar hapjen e dyerve të mortit për përcjelljen e dy motrave, të cilat humbën jetën pasi automjeti me të cilin udhëtonin doli nga ura dhe përfundoi në kanalin vaditës.
Florie Xhepa 53 vjeçe kishte jetuar më herët në Langhirano të Italisë, ndërsa aktualisht familja e saj jeton në Casalmaggiore, në provincën e Cremonës.
Sipas njoftimit të familjarëve, ceremonia e varrimit të Flories do të zhvillohet në Itali në ditët në vijim. Ajo lë pas dy fëmijët e saj, Mariglenin, 28 vjeç, dhe Sabën, 24 vjeçe.
Aksidenti i rëndë ndodhi mbrëmjen e 13 gushtit, në dalje të fshatit Delisufaj. Automjeti me të cilin udhëtonin dy motrat doli nga ura dhe përfundoi në kanalin vaditës.
Sipas të dhënave të bëra publike pas ngjarjes, dy gratë nuk kanë mundur të dalin nga automjeti dhe kanë humbur jetën si pasojë e mbytjes. Trupat e tyre u nxorën nga automjeti dhe u transportuan drejt morgut të Lushnjës.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje të thellë te familjarët dhe të afërmit, ndërsa mungesa e barrierave mbrojtëse në urë është evidentuar si një problem serioz sigurie në këtë segment rrugor.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






