Transmetuar më 15-08-2026, 15:30

KOSOVË – Kriza institucionale në Kosovë vijon, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca kanë refuzuar ftesën e ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, për takimin konsultativ të 18 gushtit.

Në këtë situatë, kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit, Avni Dehari nga Lëvizja Vetëvendosje, ka bërë thirrje për arritjen e një marrëveshjeje politike para vijimit të punës së Kuvendit.

Dehari ka mirëpritur ftesat e Haxhiut dhe kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, duke u bërë thirrje partive politike që të ulen në tryezë dhe të gjejnë një zgjidhje për krizën institucionale.

Sipas tij, vazhdimi i seancës pa një marrëveshje paraprake për zgjedhjen e presidentit rrezikon të thellojë përplasjet politike dhe mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme.

PDK-ja dhe Aleanca, nga ana tjetër, kërkojnë vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit, e cila nisi më 6 gusht dhe u ndërpre për shkak të mungesës së një marrëveshjeje politike. Aleanca ka akuzuar LVV-në se po zvarrit bllokadën institucionale për ta çuar vendin në zgjedhje.

Ndërkohë, LDK-ja ka deklaruar se është e gatshme të votojë për një figurë jopartiake për president dhe se nuk kërkon poste institucionale.

Kriza institucionale vijon pas zgjedhjeve të 7 qershorit. LVV-ja siguroi 53 ulëse në Kuvend, PDK-ja 22, LDK-ja 18 dhe AAK-ja shtatë.

Për zgjedhjen e presidentit kërkohet prania e të paktën 80 deputetëve në sallë në dy rundet e para të votimit. Nëse presidenti nuk zgjidhet as në rundin e tretë, Kuvendi shpërndahet dhe Kosova shkon në zgjedhje të reja.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit