Transmetuar më 15-08-2026, 14:54

PRISHTINË – Një fotografi e Fehim Salit me kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, është bërë pjesë e debatit publik pas arrestimit të Salit nën dyshimet për bashkëpunim me Shërbimin Inteligjent të Serbisë (BIA).

Fotografia është realizuar gjatë një takimi në Kryeministri, ku Kurti kishte pritur përfaqësues të organizatave që përfaqësojnë komunitetet joshumicë në Kosovë. Pas publikimit të saj, zëdhënësi i Qeverisë, Arlind Manxhuka, sqaroi se gjatë mandateve të tij Kurti ka zhvilluar takime me dhjetëra organizata të regjistruara të komuniteteve joshumicë.

“Ne nuk bëjmë detektorin e askujt dhe as s’japim amnisti për askënd”, deklaroi Manxhuka, duke shtuar se institucionet e sigurisë, përfshirë Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), po zbulojnë raste të dyshuara për spiunazh.

Kush është Fehim Sali?

Fehim Sali është nga fshati Kërstec i Dragashit dhe prej vitesh është angazhuar në përfaqësimin e komunitetit goran në Kosovë.

Ai ka punuar si mësues në shkollën fillore serbe “9 Maji” në Rapçë. Pas luftës në Kosovë, Sali u angazhua në organizata të shoqërisë civile që përfaqësonin komunitetin goran.

Në vitin 2020 ai themeloi në Kosovë organizatën “Udruzhenje gragjana Gora/Zelena”, ndërsa në prill të vitit 2024 u regjistrua në Serbi edhe organizata “Moja Gora”.

Nga viti 2022 deri në vitin 2024, Sali ishte anëtar i Këshillit Konsultativ për Komunitete pranë Zyrës së Presidentes së Kosovës, mekanizëm që shërben për përfaqësimin e komuniteteve joshumicë në raport me institucionet. Ai u shkarkua nga kjo detyrë në maj të vitit 2024.

Për çfarë dyshohet?

Fehim Sali u arrestua më 13 gusht në pikën kufitare të Merdarës. Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar ndaj tij një muaj paraburgim.

Sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës, Sali dyshohet se për një periudhë të pacaktuar, deri në momentin e arrestimit, i ka ofruar në mënyrë të vazhdueshme informacione dhe ndihmë BIA-s, me synim përfitimin material.

Në kuadër të hetimeve, ai dyshohet se ka përcjellë informacione lidhur me situatën politike në Kosovë, si dhe se ka fotografuar dhe identifikuar zyrtarë të AKI-së.

Prokuroria dyshon gjithashtu se Sali ka dhënë informacione për persona që autoritetet i lidhin me rryma vehabiste dhe se ka propozuar persona të cilët mund të kontaktoheshin ose rekrutoheshin nga shërbimi inteligjent serb.

Dyshimet për dokumentet serbe dhe aktivitetin politik

Sipas raportimeve të mediave në Kosovë, hetimet përfshijnë edhe dyshimet se Sali ka shërbyer si ndërmjetës për pajisjen e qytetarëve të Kosovës me dokumente serbe.

Ai dyshohet se e ka kryer këtë aktivitet në bashkëpunim me një zyrtar të BIA-s, me të cilin, sipas raportimeve, ka zhvilluar takime në Beograd dhe ka komunikuar në mënyrë të vazhdueshme.

Në fokus të hetimeve janë gjithashtu kontaktet e Salit me struktura politike në Serbi dhe aktiviteti i tij brenda komunitetit goran.

Sipas raportimeve të KosovaPress, ai dyshohet se ka ndikuar te votuesit e komunitetit goran në favor të Partisë Përparimtare Serbe (SNS) dhe Partisë Socialiste të Serbisë (SPS), kundrejt përfitimeve financiare.

Në këtë kuadër, organizata “Moja Gora” dyshohet se është përdorur si mbulesë për aktivitete që synonin orientimin e votës së komunitetit goran gjatë zgjedhjeve në Serbi.

Në fillim të vitit 2023, Sali mori pjesë në aktivitete të organizuara nga SPS, ku zhvilloi takime edhe me kryetarin e kësaj partie, Ivica Daçiq, si dhe me deputetin Igor Braunoviq.

Hetimet ndaj Fehim Salit vijojnë. Ai është nën hetim për veprën penale të spiunazhit, ndërsa çdo akuzë ndaj tij mbetet për t’u provuar në procesin gjyqësor. Deri në një vendim të formës së prerë, Sali prezumohet i pafajshëm.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit